TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2025, 16:05

Si e katandisi PD-në Berisha: Tabaku-Alimehmeti ‘luftë’ për mbijetesë, servilët dhe rrangallat mbushin Parlamentin!

Shkruar nga Pamfleti
Si e katandisi PD-në Berisha: Tabaku-Alimehmeti ‘luftë’
Gjendja ku u katandis PD

Alimehmeti dhe Tabaku janë viktima të një sistemi që nuk duron individë me mendim të pavarur apo mbështetje qytetare. Ata janë detyruar të luftojnë mes tyre për ‘mbijetesë’, ndërsa vendet e sigurta janë dhënë si dhuratë nga “non grata” për ushtarët e bindur.

Partia Demokratike ka dalë e rraskapitur nga këto zgjedhje, duke siguruar vetëm 50 mandate në rang kombëtar, një rezultat rrënues për partinë më të madhe opozitare.  

Por drama më e madhe po ndodh në zemër të saj, në Tiranë, aty ku dikur PD mbushte Parlamentin me figurat e saj më të mira. Sot në kryeqytet është katandisur me 13 mandate, ku 12 i merr lista e mbyllur dhe vetëm 1 e merr vota individuale.

Ironia është se pikërisht aty, për atë vend të vetëm që vendos qytetari, po përplasen dy prej figurave më të respektuara të PD-së: Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku. Një mjek i respektuar në botën akademike dhe shëndetësore, i ardhur në politikë me një profil të qartë qytetar. Dhe një deputete ikonike, e përgatitur dhe e njohur për kontributin në komisionet parlamentare dhe ekonominë. Të dy të lënë jashtë listës së sigurt. Të dy të nxjerrë jashtë nga Berisha.

Sepse Sali Berisha, në vend që të ringrinte partinë me fytyra të reja dhe integritet, e ktheu listën në një katalog nostalgjik, duke futur në rresht të parë njerëzit më besnikë ndaj tij, jo më të besueshmit për qytetarët.

Flamur Noka, emri i përhershëm i tensioneve, i paidentifikueshëm me ndonjë kontribut real përveç zërit të lartë dhe sherreve në Parlament.

Jozefina Topalli, e rikthyer si një figurë e së shkuarës pa asnjë ofertë për të sotmen.

Albana Vokshi, e përqendruar më shumë në agresivitetin televiziv se në politikbërje.

Edi Paloka, një tjetër emblemë e besnikërisë personale ndaj Berishës, me zero kontribut politik.

Lista e PD-së u mbush me zëra të konsumuar, shumë prej të cilëve janë thjesht zgjatim i vullnetit të Berishës. Këta nuk garojnë për ide, ata garojnë për të ruajtur imunitetin e liderit dhe për të garantuar vijimësinë e një klike që ka marrë peng opozitën. Po ashtu aleatët u shpërblyen me vende të sigurta dhe opozitarizmi i vërtetë u la jashtë.

Dhe pastaj demokratët ankohen se si ka mundësi qytetarët votojnë akoma Ramën? E votojnë, pasi Alimehmeti dhe Tabaku duhet të ishin te lista e mbyllur dhe jo sot të “luftojnë” mes tyre. Të dy e meritojnë vendin në Parlament dhe për faj të Saliut, njëri do të jetë jashtë. Për të mos marrë rastin më të keq që nëse diaspora ndryshon rezultatin në Tiranë, mund të përfundojnë të dy pa mandat.

Treguesi tjetër është se vota ndaj Alimehmetit dhe Tabakut, është një revoltë kundër listës së Sali Berishës. Fakti që votohen ata të dy, tregon se demokratët nuk e miratojnë listën e rrangallave që po fut Berisha në Parlament.

Alimehmeti dhe Tabaku janë viktima të një sistemi që nuk duron individë me mendim të pavarur apo mbështetje qytetare. Ata janë detyruar të luftojnë mes tyre për ‘mbijetesë’, ndërsa vendet e sigurta janë dhënë si dhuratë nga “non grata” për ushtarët e bindur.

Në këtë farsë politike, nuk po shkatërrohet vetëm një opozitë – po shkatërrohet edhe ideja e një të djathte moderne dhe europiane. Dhe faji nuk është i elektoratit, faji është i atij që për interesa personale, e ktheu PD-në në partinë e kockave dhe nostalgjisë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje