TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shtator 2025, 18:17

Si i përdori Rama “tradhtarët” e Metës dhe i hodhi si ‘limonë të shtrydhur’!

Shkruar nga Pamfleti

Si i përdori Rama “tradhtarët” e Metës dhe i hodhi si

Nga Braho e Koka, te Naço e Caka, kush janë figurat që “tradhtuan” Metën...

Ndonëse socialistët janë ata që mbushin kutitë me vota, Edi Rama vijon të punësojë njerëz të PD-së e të LSI-së. Pas emërimit të besnikut të Bashës në krye të FSDKSH, Rama vendosi Silva Cakën zv/ministre të Brendshme.

Padyshim emri i saj solli shumë reagime, pasi deri dje ajo ishte një fanatike e Ilir Metës, por pushteti të josh.
Silva nuk është në fakt e vetmja, pasi Edi Rama që në vitin 2017, kur nisi lufta e madhe me LSI, ka marrë deputetë dhe figura të saj.

Ndër të parët që kaluan me të janë Alqi Bllako dhe Lefter Koka; të dy u bënë “koka turku” për aferën e inceneratorëve. Njëri ministër dhe tjetri Sekretar i Përgjithshëm, janë sot në qeli.

Po ashtu Rama i mori Ilir Metës edhe Nasip Naçon. Ky i fundit në 2021 garoi në Berat për PS dhe u bë deputet. Rama e shpërbleu dhe e bëri drejtues të Komisionit të Sigurisë. Por këtë herë Rama e hodhi “si limon të shtrydhur”, duke mos e kandiduar fare në zgjedhje dhe duke mos i dhënë asnjë lloj posti.

Madje ai tërhoqi me vete edhe deputetin tjetër të Beratit, Gledion Rehovica. Por edhe ky i fundit nuk eci shumë gjatë. Sot ka mbetur i harruar. Një tjetër deputet që mori Rama ishte Shkëlqim Selami. Ai u shfaq disa herë krah Ramës, por më pas doli nga qarkullimi. E njëjta gjë me Spartak Brahon. Rama e bëri deputet dhe i dha Komisionin e Sigurisë, por më pas pati përplasje mes tyre për çështje punësimi në Durrës dhe Braho sot është kritik i madh i Ramës.

Emër tjetër është Agron Çela. Ai njihet në zonën e Shkodrës për aspektin financiar dhe Ramës i duhej një figurë që kishte para, pasi në 2021 donte të dominonte Shkodrën. Tani Çela nuk ka më asnjë lidhje me politikën dhe PS.
Por teksa nxori jashtë loje figurat e vjetra të LSI-së, Rama ka vijuar rekrutimet. I radhës ishte Vangjel Tavo, të cilin e bëri prefekt të Vlorës dhe më pas kryebashkiak të Himarës. Afrimi i tij ishte strategji, pasi Rama donte një “grek” për të zëvendësuar Belerin.

Në zgjedhje afroi Endrit Brahimllarin, i cili nuk është se kishte ndonjë peshë të madhe. Rama si duket e afroi për të goditur Metën, i cili u tradhtua në SPAK nga Endriti. Po ashtu kaloi dhe Klevi Pojana, por edhe ai njësoj si Brahimllari më shumë u vetëofrua te PS.

Emri i fundit që rrëmbeu Rama është Silva Caka. Kjo e fundit prej afro një viti nuk dilte në skenën publike, por duket se ka luajtur në prapaskenë. Por duke parë historikun më lart, emrave të rinj duhet të mos u dalë frika, pasi Rama të përdor dhe të hedh si “limon të shtrydhur”. /Pamfleti

Lini një Përgjigje