Një projekt që përfshin interes të drejtpërdrejtë ekonomik rrit gjasat për të bashkëpunuar me këtë administratë dhe për t’u parë si partner i preferuar në Ballkan
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën presidencën e dytë të Donald Trump po ndryshojnë qasjen ndaj Ballkanit. Ajo që shihet nga analistët është se për SHBA po prevalojnë interesat ekonomike ndaj atyre politike.
Teksa administrate Trump po shqyrton mundësinë për reduktimin e forcave amerikane në Kosovë, ligjvënësit amerikanë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me këtë ide, madje një grup senatorësh, republikanë dhe demokratë, janë vënë në lëvizje për t’i paraprirë çdo të papriture.
Në një letër drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ligjvënës dypartiakë që shërbejnë në komisionet kyçe të politikës së jashtme, përfshirë figura të rëndësishme si Jeanne Shaheen dhe Gregory W. Meeks, i kërkojnë Rubios të ruajë nivelin aktual të trupave amerikane në Forcën e Kosovës (KFOR). “Një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë, veçanërisht Bosnje dhe Hercegovinën”, thuhet në letër.
Zyrtarët e NATO-s deklarojnë se aktualisht nuk po shqyrtohen ndryshime në misionin e KFOR-it, por analistët ngrenë alarmin se ky episod tregon një ndryshim në qasjen e politikës së jashtme të SHBA ndaj Ballkanit, duke u larguar nga një precedent disa dekadash i bashkëpunimit shumëpalësh euroatlantik dhe duke ndjekur në mënyrë të njëanshme interesat strategjike amerikane.
KFOR-i është i pranishëm në Kosovë që nga viti 1999, kur u krijua nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas përfundimit të luftës në Kosovë. Misioni shumëkombësh ka për detyrë të ruajë një mjedis të sigurt dhe të parandalojë rikthimin e konfliktit në provincë, dhe vazhdon të operojë me të njëjtin mandat edhe sot.
Trupat amerikane përbëjnë rreth 10 për qind të KFOR-it, midis 500 dhe 600 nga rreth 5000 trupa gjithsej. Megjithatë, SHBA ushtron një ndikim disproporcional për shkak të peshës së saj politike në rajon, thotë Engjellushe Morina, studiuese e lartë për politika në Këshillin Europian për Marrëdhënie me Jashtë dhe analiste e marrëdhënieve Kosovë–Serbi.
“Në Kosovë, SHBA shihet si mbështetësi kryesor i pavarësisë dhe sigurisë,” thotë Morina për EWB, duke shtuar se “KFOR-i është SHBA-ja, nëse pyet shumë kosovarë”.
Diskutimet për reduktimin e kësaj pranie pasqyrojnë një ndryshim në prioritetet e sigurisë në Uashington, ndërsa Evropa duhet të marrë një rol më të madh, pasi SHBA e ka vëmendjen në rajone të tjera që i konsideron jetike për sigurinë kombëtare, thotë Gëzim Visoka, zv/dekan për kërkime në Universitetin Dublin City.
“Ndërsa Ballkani ka gëzuar një periudhë të qëndrueshme stabiliteti gjatë dy dekadave të fundit dhe është integruar gradualisht në strukturat euroatlantike, SHBA ka zhvendosur vëmendjen drejt vatrave të tjera konflikti dhe shqetësimeve më të menjëhershme,” thotë ai për EWB.
Edward Newman, profesor i sigurisë ndërkombëtare në Universitetin e Leeds, shton se dinamika gjeopolitike në ndryshim mund të nxisë një rishikim të dislokimeve ushtarake dhe ndihmës së jashtme, që do të thotë se “angazhimi në Kosovë do të rishikohet dhe ndoshta do të reduktohet.”
Reduktimi i pranisë ushtarake amerikane në Kosovë nuk do të ishte një devijim nga politikat e mëparshme. Uashingtoni është tërhequr gradualisht nga Kosova që nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, me SHBA-në dhe Brukselin që kanë një mendim se angazhimet amerikane do të zvogëloheshin ndërsa situata e sigurisë stabilizohej dhe vendet e BE-së merrnin një rol më të madh në stabilizimin e fqinjësisë së tyre europiane. Ky trend reflektohet në numrin e trupave të KFOR-it, i cili ka rënë nga rreth 50,000 në fillim të misionit në rreth 5,000 sot.
Në këtë kontekst, propozimi për një reduktim të mëtejshëm nuk është i pazakontë, thonë ekspertët. Ajo që bie në sy është fakti se propozimi vjen nga një administratë që po vepron gjithnjë e më shumë jashtë kornizave shumëpalëshe që historikisht kanë udhëhequr bashkëpunimin euroatlantik në misione si KFOR-i.
Para Trump, administratat amerikane punonin në koordinim me aleatët europianë për të zgjidhur çështjet e hapura në Ballkan, thotë për EWB Vesko Garçeviç, ish-ambasador i Malit të Zi në NATO.
Visoka e përmend misionin e KFOR-it si shembull, duke e cilësuar atë një “operacion të suksesshëm paqeruajtës ku NATO, OKB dhe BE kanë bashkëpunuar ngushtë për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë.” Prania amerikane në këtë forcë, sipas tij, ka sinjalizuar mbështetje për politikën e aleancave brenda një kornize shumëpalëshe.
Sipas Garçeviç, kjo ka ndryshuar nën Trump, pasi SHBA po tregon pak gatishmëri për të vepruar në koordinim me BE-në, duke preferuar të ndjekë interesat e saj strategjike në mënyrë të njëanshme. Kjo është e dukshme edhe në rastin e reduktimit të mundshëm të KFOR-it, ku SHBA nuk po sinjalizon vetëm dëshirën që Europa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë, por edhe një mungesë sinergjie me BE-në.
“Bëhet fjalë për faktin se SHBA dhe BE nuk po punojnë më në sinergji, siç ka qenë deri tani,” thotë ai.
Kurt Bassuener nga Democratization Policy Council shton se largimi i Trump nga shumëpalësia ndikon në mënyrën se si duhet interpretuar reduktimi i mundshëm i KFOR-it. Ai i referohet deklaratave të fundit të Trump, ku presidenti paralajmëroi se SHBA mund të rishqyrtojë pjesëmarrjen në NATO, pasi anëtarët e aleancës refuzuan të ndihmojnë SHBA-në në luftën e saj me Iranin.
Sipas Bassuener, diskutimet për reduktim mund të shërbejnë jo vetëm si sinjal për Europën që të marrë një rol më të madh në sigurinë e kontinentit, por edhe si mjet për të shprehur pakënaqësi ndaj aleatëve europianë për çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me Ballkanin apo Europën.
Ndërkohë, edhe pse SHBA mund të jetë më pak e angazhuar në diplomacinë shumëpalëshe, Morina vëren se administrata Trump dhe familja e tij duket se po ndjekin më aktivisht mundësi biznesi në Ballkan. Kompanitë amerikane planifikojnë të udhëheqin ndërtimin e një gazsjellësi që lidh Bosnjën me Kroacinë, ndërsa Jared Kushner së fundmi ka marrë miratimin për të zhvilluar një resort luksoz në Shqipëri.
Këto zhvillime tregojnë një qasje më transaksionale ndaj rajonit, ku interesat amerikane janë më shumë ekonomike sesa politike apo ideologjike, thotë Garçević. “Një projekt që përfshin interes të drejtpërdrejtë ekonomik rrit gjasat për të bashkëpunuar me këtë administratë dhe për t’u parë si partner i preferuar në Ballkan”, thekson ai.
Pavarësisht nëse do të ketë apo jo ndryshime konkrete në KFOR, konturet e një politike të re amerikane ndaj Ballkanit po bëhen gjithnjë e më të qarta, një politikë që vepron jashtë kornizave të njohura të bashkëpunimit shumëpalësh. Europa, ndërkohë, përballet me nevojën për të interpretuar këto sinjale dhe për të përcaktuar mënyrën se si do të reagojë.
“Në fund të fundit,” thotë Bassuener, “Europa duhet të jetë e përgatitur të mbrojë vetë interesat dhe vlerat e saj në këtë rajon që pretendon ta integrojë”. /Përshtati Pamfleti/
Prevalojne? Jam kurioz ne cilen gazete kosovare e gjetet kete fjalen se ata shkruajne pa sens. Thuhet : Mbizoterojne