Politike18 Qershor 2024, 11:48

Si po i ‘fusin hundët’ erdoganistët në përplasjet brenda socialistëve

Shkruar nga Pamfleti
Si po i ‘fusin hundët’ erdoganistët në
Edi Rama dhe Erdogan /

Ditët e fundit njerëzit e Erdogan në Tiranë, kanë nisur objektivin numër tre, atë të ndërhyrjes direkte në politikë duke u bërë gati për zgjedhjet e vitit 2025...

Pas arritjes së çarjes së Komunitetit Musliman Shqiptar, grupi që përkrah Erdogan, ka nisur lëvizjet e radhës në politikë.

Për mbi dy muaj, shoqata “Mexhlis”, e cila grumbullon eksponentët më të njohur publikë që përkrahin qëndrimet e Ankarasë, kanë zhvilluar tubime të shumta në përkrahje të popullit palestinez.

Ajo që është e rëndësishme të nënvizohet në këtë lëvizje, vihet re se në tubime dënohet vetëm Izraeli, dhe jo organizata terroriste Hamas. Një qëndrim që përputhet me qeverinë e Turqisë, e cila jo vetëm që nuk e ka dënuar organizatën terroriste Hamas, por pret eksponentët e saj në kancelaritë e Ankarasë.

Ndërkaq, ajo që bie në sy, ditët e fundit njerëzit e Erdogan në Tiranë, kanë nisur objektivin numër tre, atë të ndërhyrjes direkte në politikë duke u bërë gati për zgjedhjet e vitit 2025.

Siç pritej, kjo lëvizje, do të bëhet në përputhje të plotë me marrëveshjen e rinovuar ndërmjet Rexhep Taip Erdoganit dhe Edi Ramës, gjatë vizitës që kryeministri shqiptar zhvilloi në “Cumhurbashkanligi Kulliyesi”, siç quhet pallati presidencial turk.

Edi Rama, deklaroi para një jave, se në Kongresin e ri të PS, do të ndryshohet struktura, ku 1/3 e deputetëve do të jetë komplet e re, duke hapur partinë edhe në target-grupe të tjera të shoqërisë.

PS-ja është hapur deri më sot drejt atyre “të hurit dhe litarit”, si dhe grupimeve politiko-fetare, të cilat kanë votuar për Edi Ramën prej vitit 2013. Votë që ka ardhur si pasojë e “fermanit” të sulltanit të Ankarasë, i cili në çdo zgjedhje del e thotë “votoni Edin!”.

Mirëpo kjo votë, që llogaritet të shkojë deri në 100 mijë, sipas Ankarasë nuk është kanalizuar siç duhet, e tani i ka kërkuar Edi Ramës pjesë të tortës në parlament. Madje duke i propozuar edhe emra, që dalin në televizione prej vitesh për tu promovuar, duke bërë bamirësi me para turke.

E në këtë rrugë të objektivit të islamit politik të erdoganistëve, lëvizja e parë ka qenë sulmi ndaj një personazhi të rëndësishëm të mazhorancës si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Sulmi ndaj Veliajt ka ardhur pasi falja e Kurban Bajramit nuk është zhvilluar në sheshin Skënderbej, por në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Media e erdoganistëve, ‘Mexhlis’, e hap sulmin ndaj kryebashkiakut me një pyetje retorike: “A mbaroi dashuria për muslimanët e iftarexhiut dhe umrexhiut protestant Erjon Veliaj?!”

E në një shkrim fare të shkurtër që është më shumë se një slogan elektoral, bëhet gati edhe baza e propagandës që do të nisë në fushatën zgjedhore.

Sulmi ndaj Veliajt, nuk duket një zhvillim kaq spontan... .

Siç thotë dhe Luli: “Lufta sapo ka filluar”, por kësaj radhe brenda mazhorancës, e gjasat janë deri në fundin e korrikut kur të zhvillohet kongresi, të shohim goditje edhe më të forta./Pamfleti 

erdoganistët socialistët