Politike18 Qershor 2024, 10:09

Zemërimi popullor vlon: Kur do të ngrihen turqit kundër Erdoğan?

Shkruar nga Robert Ellis

 

Zemërimi popullor vlon: Kur do të ngrihen turqit kundër Erdoğan?
Recep Tayyip Erdoğan /

”Pikë pas pike, po grumbullohet zemërimi popullor kundër sundimit të Erdoğan”....

Pas zgjedhjeve lokale në Turqi në mars të këtij viti, presidenti Recep Tayyip Erdoğan, tha një gjë me vend në fjalimin e tij nga podiumi, ku pranoi humbjen e partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP): “31 Marsi nuk është fundi, por pika e kthesës!”.

Forca kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), nën udhëheqësin e saj të ri Özgur Özel, shënoi fitore në 35 nga 81 provincat turke (përkundër 24 të AKP-së) dhe në total mori 37 për qind të votave përkundrejt 35 për qind të AKP-së.

Po ashtu, ajo siguroi triumfin në 14 nga 30 zona metropolitane, duke përfshirë ato më të mëdhatë, Stambollin, Ankaranë, Izmirin, Bursën, Antalian dhe Adanën, në krahasim me 12 ku fitoi AKP. Pyetja është se ku do të shpjerë rritja e mbështetjes popullore për partinë që themeloi dikur Atatürk, CHP, dhe si nën klimën e fragmentuar politike të Turqisë, kjo mund të sjellë ndryshime institucionale.

Që pas 5 vitesh nga ngjitja në pushtet e AKP-së, ishte e qartë se synimi i qeverisë ishte të rivendoste rolin e fesë në jetën publike për të kundërshtuar perëndimorizimin e imponuar të Turqisë, që i ka fillesat tek themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk.

AKP ishte në thelb një lëvizje me bazë konservatore, gjë që e detyroi Erdoğan të hynte në një aleancë me imamin turk Fethullah Gülen dhe lëvizjen e tij. Ashtu si Erdoğan, edhe synimi përfundimtar i Gülen ishte të rivendoste Islamin si parimin udhëheqës të shoqërisë turke.

Prandaj, dishepujt e këtij të fundit, nëpërmjet politike kadrolaşma, ishin në gjendje të plotësonin vendet në administratën shtetërore që nuk mund të ziheshin nga kuadrot e pakualifikuar të AKP-së. Vetë Gülen deklaroi publikisht në vitin 1999:“Ju duhet të prisni derisa të keni marrë të gjithë pushtetin shtetëror, derisa të sillni në anën tuaj të gjithë pushtetin e institucioneve kushtetuese në Turqi”.

Më 17 dhjetor 2013, pati një përballje midis lëvizjes Gülen dhe AKP-së, kur policia nisi një seri operacionesh anti-korrupsion me akuzat për ryshfet ndaj 4 ministrave të qeverisë, shumë të afërt me Erdoğan, në atë kohë kryeministër. U arrestuan mbi 100 persona, përfshirë pronarët e 3 kompanive të mëdha të ndërtimit.

Faza e dytë e hetimit që nisi më 23 dhjetor të atij viti, dhe që dyshohej se përfshinte edhe djalin e Erdoğan, Bilalin, u bllokua nga kryeministri. Ai pretendoi se hetimi ndaj tij ishte një “grusht shteti nga gjyqësori”. Një thirrje popullore nëpër stadiume gjatë ndeshjeve të futbollit në atë kohë  ishte “Kudo ka ryshfet, kudo ka korrupsion!”, dhe qeverisë iu kërkua të jepte dorëheqjen. Hetimi anti-korrupsion dhe zbulimet e mëvonshme, bënë që mbështetja për AKP-në të binte në 44 për qind, pra 50 për qind që fitoi partia në zgjedhjet e 2011-ës.

Pra, nuk është ndonjë befasi që Erdogan, tanimë president, e konsideroi si “një dhuratë nga Zoti” përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit në korrik të 2016-ës, dhe një mundësi për të ”zhdukur virusin” nga të gjitha institucionet shtetërore. Kështu nisi një gjueti shtrigash, dhe rreth 9.000 oficerë policie u hoqën nga puna ose u caktuan në poste të tjera, veçanërisht nga departamentet e shërbimit sekret, krimit financiar, atij kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit.

Goditje pati edhe ndaj prokurorëve, teksa u ndërmorën hapa për ta vënë gjyqësorin nën kontrollin e qeverisë. U qarkulluan edhe nëpunësit e lartë civilë në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Korporatën Turke të Radios dhe Televizionit (TRT).

Njëkohësisht, e ka humbur peshën pretendimi i Erdoğan se është një “njeri i popullit”. Zyrtarët e lartë të administratës shtetërore apo edhe nëpunësit e zakonshëm, detyrohen të marrin pjesë në tubimet e mëdha frika se mos humbasin punën e tyre.

Për më tepër, Erdoğan ka përvetësuar së fundmi Rezervatin Pyjor Ataturk, një zonë e mbrojtur mjedisore në periferi të Ankarasë, për të ndërtuar një tjetër kompleks presidencial luksoz. Ndërkohë edhe pallati historik Yildiz në Stamboll, është caktuar për përdorim nga presidenti, ndërsa një pallat i ri presidencial pranë liqenit Van në Turqinë Lindore po ndërtohet në kundërshtim me një vendim gjykate.

Zemërim ka shkaktuar edhe rezidenca e re verore e Erdoğan pranë Detit Marmara në Turqinë Jugperëndimore, sidomos pasi u mësua se gruaja e presidentit, e njohur për çantat e saj të shtrenjta të markës “Hermès” dhe blerjet e saj luksoze, i kishte këshilluar njerëzit e zakonshëm të reduktonin sasinë e ushqimit që konsumojnë gjatë vakteve, për të shmangur krijimin e mbeturinave.

Inflacioni tejet i lartë, ka varfëruar miliona familje turke, dhe situata nuk ndihmohet nga mungesa e shqetësimit nga ana e Erdoğan. Katër vjet më parë, gjatë një vizite në Malatya në Turqinë Lindore, punëtorët iu ankuan hapur se nuk arrinin të çonin dot në shtëpi as bukën e përditshme.

Por me cinizëm Erdoğan u tha atyre të mos ankoheshin, dhe pastaj iu hodhi disa qese çaji, dhe u tha të shijonin nga një filxhan çaj. Siç komentova në atë kohë, mund të flitet shumë për Marie Antoinette, bashkëshorten e mbretit të Francës. Por të paktën ajo nuk u hodhi njerëzve brioshë kur ata i thanë se nuk mund të nuk kishin mundësi të blinin bukë (të paktën siç thotë një legjendë popullore).

Një vit më vonë, Erdoğan bëri sërish të njëjtën gjë, kur u hodhi thasë me çaj viktimave të zjarreve në Turqinë jugperëndimore. Portali opozitar turk Ahval News, shkroi në një analizë të tijën kohët e fundit: ”Pikë pas pike, po grumbullohet zemërimi popullor kundër sundimit të Erdoğan”.

Dhe pasojat mund të shihen tek zgjedhjet lokale të marsit, por edhe në një sondazh të kohëve të fundit, ku thuajse 70 për qind mendojnë se AKP e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan është partia e të pasurve. Vetëm 16 për qind besojnë se AKP është në anën e të varfërve.

Një zemërim i madh, ndihet edhe tek të mbijetuarit e tërmetit të tmerrshëm të shkurtit 2023, të cilët ndihen të braktisur dhe lënë pas dore. Nga ana tjetër një pakënaqësi e madhe buron nga fluksi i madh i rusëve, të cilët duke blerë apartamente apo edhe pallate të tëra, e kanë rritur koston e jetesës në vend, duke e thelluar mungesën e shtëpive me qira të përballueshme.

Kur kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis vizitoi Ankaranë muajin e kaluar, presidenti Erdoğan u mburr se më shumë se 1000 anëtarë të Hamasit po kuroheshin në spitalet turke. Megjithatë, jo të gjithë turqit janë të kënaqur. Një miku im i mirë, i cili kujdeset për babanë e tij 90-vjeçar të sëmurë rëndë, u përpoq për ditë të tëra të gjente një shtrat për të në një nga spitalet kryesore të Ankarasë.

Por zbuloi se të paktën 2 kate ishin të zëna nga palestinezët. Me sa duket, atyre u kushtohet çdo lloj vëmendje, deri tek cigaret. Nga ana tjetër, Erdoğan flet për një “periudhë zbutjeje” në politikën turke. Në këtë rast, ai do të bënte mirë të ndërmerrte hapa për të përmirësuar kushtet e popullit të tij. Siç shtoi miku im i mirë: ”Turqit janë të uritur”./Pamfleti nga “National Interest”

Shënim: Robert Ellis, analist i çështjeve turke, këshilltar ndërkombëtar në Institutin Kërkimor për Studime Evropiane dhe Amerikane me seli në Athinë.

erdoğan turqit zemërimi popullor