TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Shtator 2023, 20:20

“Skenar me Vuçiç kundër Kosovës”/ Albin Kurti e akuzoi si palë me Serbinë, Begaj takon Lajçak në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
“Skenar me Vuçiç kundër Kosovës”/ Albin
Miroslav Lajçak dhe Bajram Begaj në New York

Teksa ende nuk ka kaluar 1 javë nga tryeza e Brukselit , ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi emisarin e BE për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak si “palë me Serbinë”, sot ai është takuar me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.

Lajçak është takuar me Begajn në New York, ku ndodhet prej disa ditësh në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Para 5 ditësh, pas takimit me Vuçiç në Bruksel, Kurti doli në një konferencë dhe tha se i dërguari i BE, po mban anën e Serbisë dhe është bërë palë me Vuçiç.

“Presidenti i Serbisë dhe Lajçaku reaguan me të njëjtin mendim dhe me njëjtën shpërfillje të koordinuar. Lajçaku dhe Vuçiçi, ishin koordinuar me një qëllim, të bëjnë të pamundurën një skenar në të cilin marrëveshja zbatohet në plotësi. 14 shtator pati një pozicion të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti”, tha Kurti për mediat.

Ndërsa në takimin me Lajçak, presidenti Begaj thotë se e siguroi të dërguarin e posaçëm të BE-së se Shqipëria mbetet e vendosur të vijojë të luajë rolin e saj për de-eskalimin e situatës së tensionuar midis dy vendeve dhe rikthimin në tryezën e dialogut.

"E sigurova të Dërguarin e Posaçëm të BE për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak, se Shqipëria mbetet e vendosur që të vijojë të luajë rolin e saj për deeskalimin e situatës së tensionuar midis dy vendeve dhe për rikthimin në tryezën e dialogut.
Roli i BE-së në këtë proces, por edhe në të gjitha zhvillimet e rëndësishme në rajonin tonë, është me rëndësi të veçantë.", shkruan Begaj në reagimin e tij.

Pas akuzave të Albin Kurtit, Lajçak ka marrë mbështetjen e Perëndimit, me Bashkimin Europian dhe SHBA që i kanë kërkuar qeverisë në Prishtinë të ndryshojë qasje në dialogun me Serbinë duke marrë në konsideratë detyrimet e saj.

Për Albin Kurtin, ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak është bërë palë me Serbinë. Kryeministri i Kosovës shpjegoi arsyet e dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ndërsa akuzoi zyrtarin e Bashkimit Europian se në koordinim me Aleksandër Vuçiç kishin përgatitur një skenar kundër tij dhe se qëllimisht po dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

Kurti njoftoi se pas takimit, ka dërguar një letër në Uashington, Berlin, Paris dhe Romë, duke detajuar ankesat e tij për punën e Lajçakut në lehtësimin e dialogut. Kryeministri kërkoi nga institucionet e BE-së që t’i kërkojnë llogari Lajçakut, teksa zbuloi një episod brenda takimit të fundit.

Lidhur me masat ndëshkuese që BE i ka vendosur Kosovës, Kurti nënvizoi se pret që ato të hiqen, pasi pretendoi se qeveria e tij ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes dhe se tani situata në Veri është tepër e qetë. Në konferencën për shtyp adresoi dhe kërkesat e vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

begaj kurti

Lini një Përgjigje