Bashkia e Tiranës, ‘handikapi elektoral’ i Edi Ramës dhe reostati i politikës së ndryshimit
Pas sondazhit për bashkinë Tiranë, ‘Pamfleti’ ka zhvilluar një tjetër në nivel kombëtar, i cili thuajse ka pasur një përfundim shumë të fortë.
Sipas perceptimit popullor të pjesëmarrësve në sondazh, me pyetjen se “nëse zhvillohen zgjedhjet sot, cili grupim i fiton?”, shumica e votave i takojnë atyre qytetarëve që duan ndryshimin e qeverisjes në vend.
Përkatësisht, Edi Rama dhe Partia Socialiste merr vetëm 43% të votave, grupimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës merr 34% dhe PD-ja e drejtuar nga Alibeaj merr 14%. Ndërsa 9% e të pyeturve thonë se nuk e dinë.
Që do të thotë se opozita së bashku merr një kuotë prej 48%, pra 5% më shumë se PS e Edi Rama, ndërkohë që 9% janë të pavendosur.
Kjo e dhënë duket se tregon një perceptim interesant, e krejt të ndryshëm nga ai që kanë dhënë sondazhet e publikuara nga disa media televizive. Sipas të cilave, mazhoranca e Edi Ramës ka një popullaritet që e kalon atë të 25 prillit 2021. Perceptim që përgjithësisht është dukur si i ekzagjeruar.
Gjithsesi, e bukura e sondazheve është se të gjithë marrin vërtetimin ditën e zgjedhjeve dhe kuptohet kush ja ka qëlluar e kush jo…
Megjithatë, duke ju referuar rezultatit të përgjithshëm që PS ka marrë në zgjedhjet e zhvilluara në vend, shikon se ajo rrotullohet rreth 40-45%, sa ç’mendojnë edhe pjesëmarrësit në sondazhin e Pamfletit.
Nga ana tjetër, është fakt se grupimi i Berishës ka pjesën më të madhe të njerëzve brenda opozitës, duke u identifikuar me 34%.
Megjithatë, shifra më e rëndësishme është 14% i kundërshtarëve të Berishës në PD dhe 9% i të pavendosurve, që tregon se ky është realisht elektorati gri në Shqipëri.
Një elektorat gri me 20% është jo vetëm deçiziv, por mund të kthehet në një alternativë qeverisëse në vend.
Fakt është se shifrat e përmbysura 43 me 34 të PS-së e Berishës janë eufori elektorale, që me kalimin e kohës kanë gjasa të rrudhen.
Ndërkaq pjesa e PD-së së Alibeajt që në këtë rast nuk merr preference as nga emri e as nga struktura, por nga preferenca ndryshe, së bashku me të pavendosurit janë në ngjitje sipas të gjitha gjasave.
Gjithsesi, sondazhi i Pamfletit, duket se tregon një perceptim direkt ngaqë është online, që ka një reagim ndryshe nga sondazhi me formular ku i pyeturi mendohet dhe shkon drejt përgjigjes më “pragmatike”. Sondazhi online jep një perceptim “live” afër votimit me “emocion”, çka realisht ndodh në shumicën e rasteve. E në këtë aspekt, është shumë e qartë se shqiptarët janë që tani për një ndryshim radikal politik, i cili po thellohet dita ditës. / Pamfleti