TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Nëntor 2025, 13:10

Spaho kritika PD: Në 2021 ishte 30 mijë vota mbrapa PS, tani 300 mijë! Financat shkojnë për LaCivitën

Shkruar nga Pamfleti

Spaho kritika PD: Në 2021 ishte 30 mijë vota mbrapa PS, tani 300

Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho thotë se PD ka nevojë që të ndryshojë. Në një reagim të gjatë në rrjete sociale, duke iu përgjigjur gazetarit Hysni Gurra, Spaho shkruan se në vitin 2021, PD ishte vetëm 30 mijë vota pas PS-së, ndërkohë që sot, ndodhet 300 mijë vota pas. Kjo gjë, thekson ai, është alarmante dhe shqetësuese, ndërsa duket sikur jep edhe një mesazh për Sali Berishën, kur thotë se është koha për të rinjtë.

"Unë flas sepse PD ka nevojë të ndryshojë. Në vitin 2021, ishim 30 mijë vota prapa PS, në vitin 2025 jemi pothuaj 300 mijë vota prapa. Ky është alarm për këdo dhe mua kjo më shqetëson, pavarësisht se nuk jam më në politikën aktive dhe kurrë nuk do të konkurroj më për ndonjë post në PD. Koha jonë ka ikur. Duhet të vijnë të rinj me vizion ndryshe edhe me më shumë energji", ka shkruar ai.

Më tutje, ai thekson se ia treguan derën prej faktit se ngriti zërin dhe madje edhe me drejtuesit e partisë. Ai shënjestron edhe Flamur Nokën, të cilin e akuzon se ka urdhëruar që të mos e votojnë në Korçë.

"Unë kam folur në institucione, kam folur në grup parlamentar dhe në kryesi të PD-së, madje individualisht me drejtues të rëndësishëm të PD. Por kjo nuk i pëlqeu hierarkisë së PD. Për këtë shkak mu tregua dera. Për më shumë të tregon Flamuri. Zotëri, nga viti 2003 deri në vitin 2021, në zgjedhjet në qarkun e Korçës, si individ, nuk kam humbur asnjë garë në maxhoritar apo proporcional, prandaj kur flet për vota ki kujdes dhe referoju fakteve. Në zgjedhjet e vitit 2025, në mënyrë të turpshme Flamur Noka dhe drejtuesi i qarkut, iu kërkuan strukturave të PD që të mos votohesha unë por dikush tjetër”, shton ai.

Më tutje, rendit një sërë pyetjesh, duke nxjerrë në pah shumë probleme të PD-së. Ai hedh akuza se PD miratoi një sistem zgjedhor në interes të PS, insistoi në votën e emigrantëve ndërkohë që nuk e përgatitur për këtë proces, zhvilloi primare por rezultatin nuk e respektoi. Po ashtu ngre shqetësim edhe për financat, teksa thotë se shpenzohen për të huajt, që mesa duket i referohet Chris LaCivitas, konsulentin amerikan me të cilin Berisha u mburr gjatë fushatës elektorale të 11 majit, dhe shpenzoi shpenzoi shuma të majme.

“Përse në bazën e PD nuk ka struktura, nuk gjejmë dot komisione, përse financat e PD harxhohen për të huajt, të cilët nuk ia kanë idenë se çfarë ngjet në Shqipëri, në vend që t’ju jepen degëve në rrethe, të cilat janë të mbytura në borxhe dhe nuk kanë asnjë mjet financiar për fushatë”, thotë Spaho.

 

Lini një Përgjigje