TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Nëntor 2025, 08:55

A po i dështon “Foltorja2” Sali Berishës?

Shkruar nga Pamfleti

A po i dështon “Foltorja2” Sali Berishës?

Berisha deklaroi se ‘Foltorja2’ do të mbyllë misionin kur të rrëzohet Edi Rama nga poltroni i Kryeministrit, edhe pse e ka të qartë se me aq pjesëmarrje, që mund të vijë duke u reduktuar, e ka të pamundur që të ushtrojë presion për të detyruar Kreun e Qeverisë për t’u larguar...

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë zhvilluar dy ‘Foltore’ në dy javët e fundit, një mënyrë proteste ndaj asaj që konsiderojnë si mbyllje të hapësirave të tyre në Parlament.

Berisha njoftoi mbajtjen e ‘Foltoreve’ poshtë zyrës së Edi Ramës, por nga dy tubimet e para ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është mungesa e pjesëmarrjes, ose një interesim mjaft i pakët qoftë edhe nga militantët dhe mbështetësit e PD-së.

Nga dy tubimet e mbajtura në dy javë në formatin e “foltore parlamentare-qytetare” janë dhënë të njëjtat mesazhe që Berisha apo deputetë të tij i thonë çdo ditë, nga selia e PD-së te deklaratat mediatike apo strukturat parlamentare.

Ndoshta këto janë arsyet pse ‘Foltorja2’ nuk po arrin të tërheqë apo përthithë qoftë edhe mbështetësit realë të opozitës. Thënë më ndryshe kjo ide apo format proteste nuk po ngjit, nuk po ndez atë shkëndijën që ndoshta vetë Berisha e di.

Dhe kur nuk arrin të ‘ndezë’ në këtë situatë kur denoncohen skandale dhe kriza, kur vetë mazhoranca është përfshirë në një vorbull dhe është e hutuar, do të thotë se kriza e besimit të qytetarëve është edhe më e madhe.

Mjafton të shohim dy tubimet e ‘Foltores2’. Ajo nuk ka arritur të përthithë qoftë edhe një emër të ri, që duke shfrytëzuar mikrofonin të përçojë një mesazh ndryshe nga ato që përsëriten nga deputetët apo kreu i PD-së.

Berisha deklaroi se ‘Foltorja2’ do të mbyllë misionin kur të rrëzohet Edi Rama nga poltroni i Kryeministrit, edhe pse e ka të qartë se me aq pjesëmarrje, që mund të vijë duke u reduktuar, e ka të pamundur që të ushtrojë presion për të detyruar Kreun e Qeverisë për t’u larguar.

Nëse do të kishte një pjesëmarrje të lartë, një entuziazëm, ‘Foltorja2’ mund të shërbente qoftë për ndezjen e revoltave popullore, por edhe për një reformim të vetë strukturave të PD-së.  Mund të çonte në lëvizje më radikale, qoftë edhe brenda sallës së Parlamentit.

Por këto skenarë duket se po dështojnë. Mungesa e pjesëmarrjes nuk krijon asnjë lloj presioni ndaj Edi Ramës, sikundër mosafrimi i zërave të rinj, nuk jep asnjë shpresë për atë që Berisha po e kërkon me ngulm pas 11 majit: hapjen e Partisë Demokratike.

Kur nisi Foltoret në shtatorin e 2021 në përballjen që në atë kohë pati me Lulzim Bashën, Berisha shfrytëzoi mllefin e bazës së demokratëve kundër lidershipit të PD-së, duke arritur që të nxjerrë jashtë loje strukturat partiake që kontrolloheshin nga Basha apo njerëz të tij. Dhe kjo i dha avantazhin në raport me Bashën. Në atë kohë Berisha fliste për pazaret që Rama kishte me Bashën, deklaronte se mund të rrëzonte Edin Kryeministër brenda 6 muajsh.

Ndërsa sot ndodhet nën dyshimin, madje edhe të atyre që ka në krah, se po bën pazare me Edi Ramën, por edhe i ka rënë teza se mund ta rrëzojë atë nga karrigia Kryeministrore.

Zgjedhjet e 11 majit i dhanë goditjen më të fortë, pavarësisht tezës se procesi ishte një farsë. Berisha ka regjistruar humbjen më shembullore në 11 maj, shumë më thellë se çdo rezultat i mëparshëm i PD-së, në të paktën dy dekadat e fundit, çka mund të përkthehet sot në humbjen e besimit edhe nga vetë ata që në Foltoren e parë i mbushin sallat kreut demokrat. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje