Kandidati i opozitës Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg që prej datës 12 maj pasi akuzohet se ishte duke blerë vota, ndodhet me prej 2 ditësh në spitalin e burgut sepse ka shfaqur probleme me zemrën.
Beleri është shpallur fitues i zgjedhjeve nga KQZ si kryebashkiak i Himarës, pasi u kandidua nga koalicioni Berisha-Meta, por fakti që ai ndodhet në burg dhe pamundësia për të bërë betimin mund të jetë një arsye që ai ta humbë përfundimisht mandatin.
Dhe i vetëdijshëm për këtë rrezik Beleri ka angazhuar avokatët e tij mbrojtës që të bëjnë ccdo përpjekje të mundshme për të fituar lirinë. Pas ankimit që ai i bëri vendimit të Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, që e la në burg me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim, duke kërkuar pushimin e çështjes, me pretendimin se nuk ka asnjë provë që ta përfshijë në veprën penale për të cilën akuzohet, Fredi Beleri ka dërguar disa kërkesa të tjera për ndryshim mase sigurie.
Mësohet se ka një tjetër kërkesë për shpallje të pavlefshme të ‘arrestimit në flagrancë’ është dërguar në apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, pra kundër vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Vlorës e cila e konsideroi të ligjshëm arrestin.
Një tjetër ankim është në apelin e GJKKO për ndryshim të masës së sigurisë ‘arrest me burg’ dhe lirimin e tij me një masë tjetër më të butë.
Lini një Përgjigje