Politike24 Nëntor 2023, 14:14

"SPAK mund të godasë njerëzit e tij"/ Berisha sulmon Artan Hoxhën: Do të përfundosh aty ku e kanë vendin Bajrat

Shkruar nga Pamfleti

"SPAK mund të godasë njerëzit e tij"/ Berisha sulmon

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sot ashpër gazetarin investigativ Artan Hoxha, pas deklaratave që ai bëri mbrëmë në një emision teksa fliste për arrestimet që janë bërë nga SPAK për grupin ku dyshohet se bënte pjesë edhe ish-nëndrejtori i policisë, Erzen Breçani, djali i tij Eralbi dhe Ervin Mata, familja e të cilit po ndërton një kullë gjigande te ish-Ekspozita "Shqipëria sot".

Hoxha tha se Berisha nuk po flet për këtë çështje, ndryshe nga sa bëri me "Metamorfoza 1", për shkak se i druhet një goditje të drejtësisë ndaj një personi shumë pranë tij.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha e cilësoi Hoxhën anëtar të bandës Bajri në Shkodër, teksa thekson se do të japë llogari dhe të mos mendojë se do kalojë krimet që ka kryer në emër të bandës, duke shpifur, duke trilluar, duke folur lart e poshtë.

"Dua t’i them atij anëtarit të bandës së Bajrit, që deklaron se ajo kulla e Matës qenka e një të afërmi tim, unë kërkoj që nesër, nëse është e një të afërmi tim, ajo të konfiskohet. Unë nuk kam asnjë dijeni.

Po i them anëtarit të bandës Bajri, mirë është të shkojë dhe të japë llogari dhe të mos mendojë se do kalojë krimet që ka kryer në emër të bandës, duke shpifur, duke trilluar, duke folur poshtë e përpjetë. Se ato nuk e shpëtojnë. Se ai është anëtar i paguar i bandës së Bajrit, me dokumente. Me dokumente!

Siç e kam akuzuar atë unë njëherë për hjekës në vrasje, se është vrarë djali 24-vjeçar në Zemblak, vetëm e vetëm pse denoncoi te ai, i keqpërdorur nga policia dhe të gjitha anët, denoncoi parcelat e drogës të oficerëve të policisë në Korçë dhe mori plumb pas koke në Zemblak 24-vjeçari.

Tani i them atij, avash avash, duhet të marrësh atë që do marrin Bajrët me shokë. Duhet t’ia them këtu, sepse kur Bajrët ulën në studiot televizive, bashkë me ju, dhe u kapardisën si njerëz me njohuri të thella, për faktin e vetëm se janë anëtarë të bandave më të rrezikshme, ata e meritojnë të shkojnë atje ku e kanë vendin dhe jo në studiot televizive.

E them këtë në emër të interesit publik, për të tjerat do njiheni më vonë. Në fund, çdo njeri që shkel ligjin, duhet të marrë atë që meriton. Nuk kam asnjë lloj komenti tjetër, pavarësisht se kush është. Nuk gjen kush kurrë një njeri që të kem mbrojtur një shkelës ligji. Asnjëherë!", deklaroi Berisha.

spak berisha sulm artan hoxha bajrat