
Kreu i SPAK, Altin Dumani në një konferencë me gazetarët është pyetur për arrestimin në Dubai të ish-këshilltarit të Olta Xhaçkës, Amant Josifi.
Teksa SPAK nuk kishte lëshuar asnjë udhërarresti dhe ish këshilltari i Xhaçkës u kap për llogari të drejtësisë spanjolle, Dumani është krenuar para gazetarëve se ata nuk i trembet askujt.
Për Amant Josifin, ai tha se është arrestuar në kuadër të një procedimi nga Spanja, dhe se SPAK ka bashkëpunuar, por lidhur me faktin nëse ka çështje të hapur në Shqipëri, Dumani shtoi se “nuk na tremb Amant Josifi dhe asnjë i ngjashëm, kush do qoftë, nëse do kemi diçka konkrete, gjithsecili do japë llogari”.
Amant Josifi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim është arrestuar në Dubai.
Josifi kërkohej nga drejtësia spanjolle. Për të, Gjykata e Shkallës së Parë e La Seu de Urgell ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrime me rrethana rënduese”, “Krim kibernetik”, “Skema piramidale” dhe “Organizata kriminale’.
Nëntorin e vitit të kaluar, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi disa call center-a në Shqipëri të lidhura me “Milton Group”. Nga hetimet, rezultoi se këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifin
Hetimet për goditjen e këtij grupi ku bënte pjesë dhe Amant Josifi, u inciuan nga Spanja në vitin 2018, ku u zbuluan platforma mashtruese përmes të cilave çdo 3 muaj siguroheshin të ardhura me vlerë rreth 50 milionë Euro.
Grupi kriminal dyshohet se ishte përfshirë në mashtrime përmes investimeve online me kriptomonedha. Ai përdorte Call Centera dhe platforma të tjera online si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc etj, dhe mashtronte qytetarët që të investonin online përmes kriptovalutave.
Për Amant Josifin kanë nisur procedurat e ekstradimit drejt Spanjës aty ku do të përballet me akuzat “Mashtrime me rrethana rënduese”, “Krim kibernetik”, “Skema piramidale” dhe “Organizatë kriminale”.
Lini një Përgjigje