Politike14 Shkurt 2024, 09:40

Ambasada e SHBA goditje Berishës, u jep mbështetje gjyqtarëve të GJKKO: Mos u dekurajoni, ndëshkoni të korruptuarit

Shkruar nga Pamfleti
Ambasada e SHBA goditje Berishës, u jep mbështetje gjyqtarëve

Ambasada e SHBA në Tiranë ka dalë me një mesazh të fortë për gjytarët ditën e sotme, mesazh ky një ditë para ardhjes së Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

Sipas SHBA, gjyqtarët e pavarur kanë rol vendimtar në vend dhe duhet të luftojnë fuqishëm korrupsionin, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Ky mesazh nga SHBA-ja vjen pikërisht në një kohë kur ish kryeministri Sali Berisha, vijon të sulmojë ashpër me emra gjyqtarët nga dritarja e shtëpisë ku ndodhet në arrest.

Sali Berisha në fjalimet e tij nga dritarja e banesës në rrugën 'Mustafa Matohiti', shpesh ka hedhur akuza ndaj Drejtësisë duke marrë shkas nga refuzimi i Apelit të Posaçëm i cili nuk pranoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë për të.

Pra lidhur me këto sulme, ambasada vijon të inkurajojë prokurorët të jenë të palëkundur dhe të luftojnë ashpër zyrtarët e korruptuar.

'Ekipi ynë i ambasadës priti së fundmi gjyqtarë nga Gjykatat e Posaçme të Shkallës së Parë dhe Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të theksuar rolin kyç të gjyqtarëve të pavarur që shërbejnë me integritet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në mbështetjen e tyre për gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme, teksa ata punojnë për të dhënë drejtësi për të gjithë qytetarët shqiptarët brenda një sistemi ligjor transparent.', njofton Ambasada Amerikane.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit 2023, pasi është i dyshuar për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani. Për herë të parë ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në SPAK më 23 janar ku dhe iu përgjigj prokurorëve mbi dosjen Partizani.

Ndërkohë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller ka zbardhur detaje mbi agjendën e Sekretarit Blinken, i cili pritet të mbërrijë nesër për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Në një konferencë për shtyp, Miller njofton se vizita e Blinken në Shqipëri riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Sipas Miller, Shqipëria është një partner kyç i SHBA për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.

Zëdhënësi i DASH e konsideroi vendin tonë një zë i fortë në mbrojtjen sovranitetit dhe lirisë së Ukrainës kundër agresionit brutal të Rusisë, si dhe një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së apo edhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020.

 

ambasada e shba takimi me gjyqtarët e spak dhe të apelit