
Secili nga ne duhet të udhëhiqet nga ushtrimi i të gjitha përgjegjësive sipas detyrës që ai ka. Unë në punën time do të zbatoj vetëm Kushtetutën...
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, i bëri apel klasës politike shqiptare duke kërkuar prej saj, që ligjet që propozohet dhe miratohen në Kuvend, të jenë në interes të kombit dhe të qytetarëve.
Kreu i Shtetit u shpreh se gjatë detyrës së tij nuk do të përfshihet në debatin politik të ditës, duke shtuar se roli i tij kushtetues është ruajtja e neutralitetit dhe paanësia. Në një intervistë në “Real Story” edhe për ligjet e kthyera, të cilat sipas tij, janë publike dhe çdokush mund t’i konsultojë ato.
-Z.President në deklaratën tuaj publike pasi zgjedhjeve dhe dekretimit të ministrave ju i bëtë thirrje maxhorancës që të mirëpërdorë pushtetin e gjatë dhe të zgjeruar që i kanë dhënë shqiptarët, kjo tregon se ju jeni i shqetësuar për mundësinë e abuzimit me një pushtet afatgjatë?
Jo, deklarata ime kishte të bënte me faktin që ky pushtet i maxhorancës të përplotësohet nga një opozitë aktive ku debati të jetë konstruktiv dhe ku ligjet që do miratohen të jenë të tilla në interes të kombit dhe në dobi të interesit të qytetarëve tanë.
-Dikush mund të pyesë, çfarë ka bërë Presidenti për të kontrolluar këtë pushtet të madh të maxhorancës? Sa ligje ka kthyer, sa debate ka hapur ..
Pyetja juaj qëndron sepse në ambientin tonë shoqëror pyetje të tilla ngrihen dhe janë pjesë e kulturës politike. Mendoj që pozicioni i Presidentit të Republikës është i përcaktuar qartë në kushtetutë dhe se Presidenti duhet të ushtrojë detyrën e vet në neutralitet dhe paanësi. Çdo devijim nga ky postulat do të bënte që Presidenti të shkelte Kushtetutën dhe unë mendoj që mospërfshirja e Presidentit të Republikës në debatin e politikës së ditës është gjëja e duhur që unë do ta bëj gjatë gjithë kohës së mandatit tim. Për të ardhur te pyetja juaj sa ligje janë kthyer apo kush do të ushtrojë kontrollin e maxhorancës, në sistemet demokratike ndarja e pushteteve është e përcaktuar qartë dhe presupozohet që pushteti i ekzekutivit kontrollohet nga opozita dhe opozita në këtë rast duhet të jetë një opozitë e fortë, një opozitë e cila do të bëjë të mundur që qeveria të bëjë gjënë e duhur. Abuzimi me pushtetin nuk varet nga numrat. Mund të kesh numra minimalist dhe të abuzosh me pushtetin. Ndërsa sa i përket ligjeve të kthyera unë besoj se ato ligje që janë kthyer janë publike dhe janë në interes të publikut.
-Ju me të drejtë thatë që sa i madh pushteti i ekzekutivit aq më aktive dhe kontrolluese duhet të jetë opozita. Duhet thënë se në këtë nisje të re legjislative parlamenti hyri në një reformim dhe komisioni i dikurshëm i integrimit nuk do drejtohet më siç ka qenë tradita nga opozita, por nga vetë maxhoranca. Dhe unë nga pikëpamja e problemeve të shpejtësisë, pasi BE duket ndonjëherë më i interesuar se ne për integrimin e Shqipërisë, por nga pikëpamja e kontrollit të pushteteve shumë mendojnë se ky është një hap pas.
Unë do të thoja që Shqipëria ndodhet në një moment historik për arritjen e ëndrrës dhe aspiratës së shqiptarëve prej 35 vjetësh për tu bërë pjesë e BE. Ky proces transformativ i shoqërisë sonë, nuk mund të jetë proces që do i dedikohet një individi apo një partie politike. Unë jam i lumtur që në Shqipëri të gjitha forcat politike e kanë në misionin e tyre anëtarësimin në BE dhe nuk kemi asnjë kundër. Dhe ky opinion politik, bazuar edhe te opinioni i mbarë shoqërisë që kërkojnë që integrimi dhe anëtarësimi në BE do të shoqërohej me një transformim cilësor të shoqërisë sonë të të gjithë sektorëve do të çojë në realizimin e atij objektivi strategjik që me të drejtë ju e përmendët në mbylljen e gjithë kapitujve në 2027 dhe për të bërë të mundur që brenda 2030 të jemi anëtar. Është një moment i volitshëm, një moment që përkon jo vetëm me dëshirën tonë për të qenë pjesë e BE, por edhe me mendimin politik të të gjithë vendeve të BE. Unë kam takuar disa drejtues shtetesh dhe presidenten e BE dhe më konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Europian për këtë rrugëtim cilësor të Shqipërisë dhe patjetër vendimin politik që po, Shqipëria është duke ecur shumë mirë për t’u bërë pjesë e BE.
-Ju i bëtë thirrje opozitës të bashkëpunojë dhe të jetë konstruktive në procesin e integrimit. Për fat të keq e pamë që opozita mund të ketë edhe argumentet e saj, një sa e përmenda, por për fat të keq shohim sërish zhurmën e vjetër të bllokimit.
Unë do të doja që Kuvendi të kryejë misionin e vet, atë mision për të cilin e ka të bazuar në Kushtetutë. Kuvendi duhet të jetë transparent, llogaridhënës, të jetë i hapur për të gjithë faktorët, shoqërinë civile për median, për të hartuar ligje në bashkëpunim dhe është shumë e rëndësishme që Kuvendi të jetë bashkëpunues dhe ligjet që nga pikëpamja cilësore duhet të jenë të tilla që të mbrojnë interesin kombëtar dhe të qytetarit.
-Pra e vini re te opozita sidomos PD, që ka bojkotuar takimet që ju i thërrisni vazhdimisht, ka kontestuar çdo dekret që bëni. A ju shqetëson kjo? Që kjo është një opozitë që nga njëra anë ju kërkon ta përfshini por kur ju e përfshini ajo thjesht ju akuzon dhe nuk pranon të vijë?
Mendoj që në punën e tij Presidenti i Republikës nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet personale, duhet të zbatojë gjithmonë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën. Unë në detyrat e mia, si ushtarak dhe si mjek kam patur si mision shërbimin ndaj Atdheut, detyrës dhe në shërbim të qytetarëve.
-Dhe nuk ju shqetëson asgjë tjetër.
Aspak, nëse unë zbatoj detyrimin kushtetues nuk më shqetëson asgjë tjetër.
- Unë nuk dua t’ju tërheq në debate të politikës shqiptare, por duhet thënë që disa individë të opozitës, i përzgjedhur i grupit parlamentar, që është edhe personi që duhet të vijë më shpesh në zyrën tuaj, z.Bardhi ka diçka gati personale dhe të gjithë mund të pyesin se duket që ndaj asaj që ai bën ndaj jush, përveç të tjerave anës politike etj, duket se ka diçka personale, ka realisht diçka personale mes jush?
Unë do të thoja që secili nga ne duhet të udhëhiqet nga ushtrimi i të gjitha përgjegjësive sipas detyrës që ai ka. Unë në punën time do të zbatoj vetëm Kushtetutën, e cila thotë se Presidenti i Republikës do të jetë neutral, i paanshëm dhe kurrë nuk do të përzihem në politikën e ditës as në komente të caktuara.
-Pra, le ta themi është thjesht zhurmë..
Unë them që secili duhet të bëjë detyrën e tij.
Lini një Përgjigje