Tensionohet situata para zgjedhjeve. Në Kuçovë është hedhur në sulm Pëllumb Salillari, për të ndihmuar kandidatin e PS Kreshnik Hajdari. Salillari është parë në lokalet e qytetit dhe ka akuza se po bën pazare për vota. Madje ai ka pasur konflikte dhe me mbështetës të koalicionit “Bashkë Fitojmë". Vetë kandidati i opozitës Lefter Maliqi ka publikuar një video të tij.
“Oligarku Pëllumb Salillari është zhvendosur në Kuçovë dhe sot në ditën e heshtjes zgjedhore ka dalë të blejë vota. Të tmerruar nga humbja e thellë që i pret nesër Çuçi ka angazhuar dhe patericën Salillari me shpresë se kështu do e ndryshoj rezultatin. I them Çuçit dhe Salillarit le ta zbrazin qesen siç kanë bërë këtë një muaj në Kuçovë dhe fshatrat përreth duke mbështetur një kufomë politike si Kreshnik Hajdari”, shkruan Maliqi.
Nga ana tjetër ai ka nxjerrë në rrugë mbështetësit. Sipas tij, ata do të mbrojnë me patjetër votat, pasi Salillari është hedhur në sulm për të ndihmuar Kreshnik Hajdarin.
“Qytetarët e Kuçovës janë bashkuar sonte dhe po patrullojnë gjithë qytetin për të ndaluar çdo tentativë të grupeve kriminale të kryesuar nga oligarku Pëllumb Salillari për blerje votash. Qytetarët po ju përgjojnë nga Lumasi në Kozare, nga Perondia dhe Tapia, në të gjitha lagjet e qytetit. I them Kreshnik Salillarit se nuk do tërhiqemi! Nga pas si hije na keni! Nuk ja merrni dot dinjitetin dhe fitoren qytetarëve që u keni pirë gjakun duke i varfëruar çdo ditë e më shumë! Nesër vetëm fitore plebishitare. Kuçova kantier ndërtimi! Kuçova në punë! Kuçova fiton! Votoni të lirë! Mos u trembni nga kufoma politike dhe fatorino Salillari! Nesër do i tregojmë vendin”, shprehet Maliqi.
Ndërkohë incidente ka pasur dhe në Memaliaj. Përfaqësuesit e opozitës kanë bllokuar një furgon, i cili dyshohet se është me ushqime. Furgoni u kap në Toç të bashkisë Memaliaj. Policia ka shoqëruar tre persona, sakaq priten verifikime të mëtejshme.
Ndërsa në Krujë u arrestua Bedri Murati, 48 vjeç, pasi është kapur nga policia duke shpërndarë para për qëllime elektorale.
Gjatë kontrollit që policia ushtroi në mjetin e tij tip “Volkswagen”, i janë gjetur dhe sekuestruar shumat e parave prej 69 000 lekësh te rinj dhe 50 eurosh, si dhe një listë të zgjedhësve në njësinë administrative Cudhi, Krujë, listë në të cilën ishin të rrethuar emrat e votuesve të cilëve dyshohet se iu kishte dhënë para në këmbim të votës në favor të kandidatit për kryetar bashkie, Agron Loka i cili kandidon nën siglën e koalicionit Berisha-Meta, si dhe një shënim me 3 qendra votimi, në Cudhi, Krujë.
Lini një Përgjigje