
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi tha se premtimi i tij për transport publik falas në kryeqytet, do të sjellë ndryshime të mëdha në cilësinë e jetës së qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, Këlliçi u shpreh se transporti falas do të ulë trafikun dhe ndotjen e ajrit, teksa shtoi se autobusët aktual do të zëvendësohen pasi do të sigurojë autobusë të rijë.
Këlliçi tha gjithashtu se kjo praktikë nuk është se po ndiqet për herë të parë në Shqipëri, sipas tij janë 250 qytete anembanë botës që kanë transport publik falas.
“Pas konsultave me shoqatat e transportit publik kam marrë të dhëna se ky shërbim përdoret nga 200 mijë qytetarë në ditë, një pjesë e të cilëve subvencionohet dhe nga të cilët mbeten 140 mijë bileta që i kushtojnë qytetarëve 56 mln lekë të vjetra në ditë, ose 1,5 mln euro në muaj, ose 18 mln në vit. Buxheti i bashkisë është 240 mln euro, këto do jenë 6,8 për qind e buxhetit. Do ulet rrafiku në qytet, ulet ndotja e ajrit. Patjetër që po. Ka vende plot që e bëjnë. Janë 250 qytete që e bëjnë në të gjithë botën, e ofrojnë këtë shërbim pjesërisht apo plotësisht. Është Talini, kryeqyteti i Estonisë, është Luksemburgu, është Malta. Është Greqia, ka një zonë të caktuar në Athinë që ofrohet me rreth 70 mijë banorë. Është një praktikë që nuk po shpiket për herë të parë”, tha Këlliçi.