
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka folur në lidhje me mbledhjen e zhvilluar pak ditë më parë mes deputetëve demokratë të dy palëve.
Ai theksoi se nuk ishte aty për të sqaruar çështjet personale që ka me Sali Berishën, por për të diskutuar për unifikimin e partisë.
Ai tha gjithashtu se për shkak të mosmarrëveshjes që kanë pasur dy palët me njëra-tjetrën kanë vënë në rrezik dhe partinë.
“Ajo që mendon Berisha për mua apo unë për Berishën, pasojat ti vuajë Shqipëria, apo populli opozitar. Ne kemi qenë prej dy vitesh duke u marrë me njëri-tjetrin, çdo pjesë e PD është dobësuar dhe më besoni se jemi duke rrezikuar shkrirjen totale të PD dhe lënien e vendit pa opozitë. Unë nuk zgjodha askënd. Unë kam thirrur një mbledhje për të unifikuar qëndrimin e opozitës parlamentare në aksionin parlamentar dhe politik të vendit. Unë nuk mendoj njëlloj si Berisha për disa çështje, por ka shumë çështje që unë dhe Berisha ndajmë të njëjtin shqetësim. Unë nuk kam shkuar të sqaroj gjërat personale me Berishën. Unë jam këtu për një opozitë të unifikuar”, tha Bardhi për “Euronews Albania”.