
Drejtuesit e qarqeve së bashku me kryebashkiakët kanë nisur shkarkimin e të gjithë të drejtorëve dhe administratorëve të njësive administrative në zonat e tyre, në zbatim të urdhrit të kryeministrit Edi Rama.
Pas shkarkimeve të ndodhura sot në Korçë, Elbasan, Kolonjë, Fier, Kukës dhe Malësi e Madhe, ka nisur procesi i dorëheqjes edhe në Lushnje dhe Shkodër.
Në një takim të zhvilluar në bashkinë e Lushnjës, zëvendëskryeministrja dhe njëherazi drejtuesja politike e PS ne qarkun e Fierit, Belinda Balluku u ka kërkuar dorëheqjen drejtorëve dhe 13 administratorëve.
Në Bashkinë e Shkodrës kanë paraqitur dorëheqjet të gjithë drejtuesit e njësive administrative. Kjo bashki ka gjithsej dhjetë njësi administrative. Lajmi është konfirmuar nga vetë Bashkia e Shkodrës me anë të një njoftimi zyrtar, të shpërndarë për mediat.
“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se të gjithë administratorët e njësive administrative në Bashkinë Shkodër kanë paraqitur dorëheqjen nga pozicionet e tyre pranë institucionit të Bashkisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu burime jo zyrtare nga Bashkia Malësi e Madhe thonë se kanë paraqitur dorëheqjen administratorët e 5 njësive administrative dhe 2 zëvendëskryetarët e bashkisë.
Lini një Përgjigje