TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Shtator 2023, 11:20

Vendi ka nevojë për një Martin Luter që të rrëzojë Babilonin

Shkruar nga Gjergj Zefi
Vendi ka nevojë për një Martin Luter që të
Foto ilustruese/

Indulgjencat sot quhen ndryshe- koncensione. Po në thelb janë e njëjta gjë...

Bumerangu “Beleri” po tregon edhe një herë se çfarë i ndodh një opozite, nëse përdorë rrugë të shkurtëra dhe jo principale për të rrëzuar kundërshtarin politik.

“Fredo mou” siç e thërrasin me afekt të kontaminuarët me pensionin e homogjenit, edhe pse si një viktimë e Ramës mund të të sjellë keqardhje, sidomos për shikimin melankolik në sallën e gjykatës, nuk është aspak një engjëll edhe pse pak buçko.

Është ‘mot à mot’, një terrorist i kapur me armë duke hyrë në kufirin e Shqipërisë nga policia greke, dhe i dënuar për këtë. Është një djall me brirë që ka djegur flamurin shqiptar e ka thënë pa ju dridhur qerpiku se parardhësit e shqiptarëve kanë ardhur nga kaukazi, ndërsa ai pronoganioti “racë e pastër” qenka indigjen tepelene po me gjak helen.

Të tilla “ngjarje” nuk janë gjë tjetër veçse copa të kronikës së cirkut që i leverdis Edi Ramës. I cili me të vetat i ka në rregull, pasi sundon pikërisht me këtë skemë.

Atij, dmth pushtetit, i duhen sa më shumë lajme gossip të tipit Fredi është grek apo shqiptar, e këtu sunduesi merr spectrin e fortë të shpëtimtarit të kombit, që po i rrezikohet nga Beleri, sillogjet greke, e Qirjako Micotaqisi, që e ka mik, por tani është prishur, e për ta marrë me të mirë, jo vetëm do të bëjë një bust të babait të tij në Dropull, por edhe një sheshi i ka vënë emrin e tij.

Opozitës, në të vërtetë i duhet një personazh, i cili siç Martin Luteri mori përsipër të përplaset me fuqinë më të madhe të kohës-Papën e Romës, edhe ai të nisë një luftë në themel me këtë pushtet zullumesh. I cili, ashtu si Papa Leoni shiste indulgjenca për të ndërtuar Bazilikën e Shën Pjetrit, se arkën e boshatisi pas pasioneve, edhe ky pushtet nuk bën gjë tjetër veçse shet indulgjenca për të mbushur xhepat e tyre makutë që s’mbushen kurrë.

Indulgjencat sot quhen ndryshe- koncensione. Po në thelb janë e njëjta gjë. Jo vetëm koncensionet tip PPP, apo tenderët që u jepen biznesmenëve për t’i shërbyer, por edhe konçensionet e tjera si punësim për vete, gruan, bursa, e më the e të thashë, vetëm e vetëm për të krijuar atë masë që gënjehet se shpëtimi do të vijë nga indulgjenca.

Ashtu si Luteri që rrëzoi indulgjencat me pamfletin e tij 44 pikësh, edhe personazhi që duhet të marrë në dorë vendin, gjegjësisht opozitën, duhet të ulët e të shkruajë arsyet e tij, përse ky pushtet nuk është shpëtimi.

Luteri, nuk e nisi luftën e tij, duke u bazuar tek populizmi që nuk të çon larg. Duke premtuar parajsë e lugë floriri, duke hapur një tjetër konflikt social për të shfrytëzuar inatin e zilinë e atyre që s’kanë.

Martin Luteri, aleancën e parë, e bëri me fisnikërinë gjermane, me në krye Perandorin, të cilët i bindi se vepra e tij nuk është gjë tjetër veçse shpëtim për vendin.

Me fjalë krejt të thjeshta: Boll çojmë nga paratë tona në arkën e Romës. T’i mbajmë për vete, të ndërtojmë shkolla publike, përkujdesje për të moshuarit e për familjet. Ai zvogëloi barrën fiskale të njerëzve ndaj njerëzve apo pushtetit që nuk i kthen këto investime.

Edi Rama nuk mundet, duke i thënë se ti ja ke dhënë tenderin filanit e ja ke dhënë fistekut. Por duke i argumentuar se PPP e check ap-it është krim, e duhet kthyer tek mjekët e sistemit shëndetësor, jo në xhepat e Nushit.

Duhet argumentuar me fakte se Rruga e Arbrit nuk është Kështjella e Rrozafës që Rroku me Belën e prishin natën atë që ndërtojnë ditën.

Luteri i opozitës, duhet të publikojë librin e artë principal, ku të shkruajë se si do ta ndajë buxhetin e shtetit për njerëzit, natyrisht edhe për klasën e biznesit, por jo të pasurojnë ata xhagajdurë që shkatërruan ekonominë kombëtare, për ta kthyer në shesh ndërtimi.

Këta njerëz monstra, si Fane e Koço, të denoncohen publikisht se nuk janë as fisnikë, as aristokratë e as sipërmarrës. Janë thjesht makutë që në koshiencën e tyre kanë mënxyra, shkatërrime jetësh e familjesh.

Luteri shqiptar, nuk duhet të ketë komplekse për ta kthyer vendin në një kantier ku të rivijnë të gjithë që largohen, e administrata të jetë ndoshta jo grupi i më të mirëve, por të paktën të mos jetë strofulla e më idiotëve e makutëve.

Kjo betejë nuk është shaka, përkundrazi është shumë e madhe dhe e vështirë. E mund ta lodhë e dëmtojë “Luterin shqiptar”. Por në fund, nëse diçka arrihet ja vlen. Edhe Martin Luteri i vërtetë, nuk u bë as mbret, as princ e as kancelar. Madje as papë. Por, u martua me gruan që pëlqeu e bëri shumë fëmijë. Vdiq nën bekimin e kujdesin e familjes që kishte dëshiruar gjithë jetën. A ka më bukur se kaq? Të tjerët, jo vetëm e ndoqën veprën e tij, por ndryshuan botën! / Pamfleti

martin luter babiloni vendi ka nevojë opozita

Lini një Përgjigje