
Gjykata Kushtetuese shqyrton të premten, 31 tetor, në një seancë publike, ankimin e Erion Veliajt, kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës, i cili kundërshtoi vendimin e Qeverisë, të iniciuar nga Edi Rama prej 11 shtatorit, për t’i ndërprerë mandatin dhe larguar nga zyra e Kryetarit të Bashkisë.
Vetë Veliaj do të jetë i pranishëm në seancë, ku pritet të parashtrojë qëndrimin e tij, bashkë me ekipin e mbrojtësve ligjorë.
Dhe duket se në ndihmë i vjen një raport i Komisionit të Venecias që në 24 tetor publikoi qëndrimin lidhur me ndikimin e paraburgimit paraprak të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes demokratike vendore dhe zëvendësimin e tyre me të emëruar nga qendra, duke theksuar se praktika të tilla cenojnë autonominë vendore dhe vullnetin e zgjedhësve.
Raporti i Venecias është një shuplakë për të gjithë procesin e dirigjuar nga Edi Rama. Pavarësisht se në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së u shfaq si ‘zemërthyer’ nga ajo që kishte ndodhur me Erion Veliajn, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në qeli me vendime të njëpasnjëshme të GJKKO-së, Kryeministri udhëzoi këshilltarët e PS-së në Bashkinë e Tiranës që të nisnin procedurat për shkarkimin e tij.
Natyrisht që vendimi final mban vulën dhe firmën e Edi Ramës, që legjitimoi propozimin për shkarkimin e tij, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Por Gjykata Kushtetuese rreth dy javë më parë vendosi të pezullojë pjesërisht dekretin e Presidentit, sipas të cilit në Tiranë dhe 5 bashki të tjera, zgjedhjet do të mbaheshin më 9 nëntor. Pezullimi i dekretit e bën të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
“Pezullimi ose përfundimi i mandatit të kryetarëve të bashkive për shkak të ndalimit apo paraburgimit të tyre prek thelbin e autonomisë vendore dhe shkel parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore”, thuhet në raportin e Venecias.
Raporti kritikon çdo ndërhyrje të qeverisë qendrore që zëvendëson kryetarët e zgjedhur, duke theksuar se kjo duhet të jetë një masë jashtëzakonshme, e bazuar në ligj dhe me garanci të plota procedurale, për të shmangur politizimin dhe arbitraritetin.
“Zëvendësimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive me të emëruar nga qendra, praktikisht shkel vullnetin e elektoratit, duke gërryer themelet e demokracisë vendore”, shkruhet ndër të tjera në raport.
Raporti nënvizon gjithashtu se paraburgimi apo pezullimi i kryetarëve të zgjedhur ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mbi liritë demokratike, duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë.
Komisioni thekson se “Demokracia vendore mund të mbijetojë vetëm nëse përfaqësuesit e zgjedhur janë të lirë të ushtrojnë mandatin e tyre dhe vullneti i zgjedhësve respektohet plotësisht.”
Nuk dihet se sa mund të ndikojë ky raport i Komisionit të Venecias në vendimin që pritet nga Kushtetuesja, por nëse i referohemi praktikave të mëparshme, sugjerimet e këtij Komisioni, janë marrë si udhërrëfyes mjaft të rëndësishëm nga politika shqiptare.
Lini një Përgjigje