
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të marrë rolin e prokurorit lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani duke hedhur poshtë deklaratat e Luis Meçes, se ka pasur dy autorë të krimit. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë nga sherri me thika pranë shkollës “Fan Noli”.
Rama i konsideroi deklarata e shokut të Martin Camit se ka një autor të dytë si “shpikje”, teksa u shpreh se nuk ka një thikë të dytë, duke bërë edhe ekspertin e kriminalistikës. Kreu i qeverisë shtoi se ngjarja e rëndë është regjistruar në video, sipas tij, nga A-ZH-ja.
“Vrasje të njerëzve të pafajshëm të cilat janë shumë të rralla, dhe ky është fakt, janë tronditëse por merren dhe rrotullohen me ditë të tëra për të nxitur sa më shumë ndjenjën e pasigurisë.
Por këtu nuk ka pasiguri. Aq shumë e vërtetë është kjo sa dy vrasje që janë ndodhur, ajo e Pogradecit dhe e 14-vjeçarit janë përdorur në mënyrën më abuzive, skandaloze ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit duke sajuar historira. Duke vendosur në pikëpyetje korrektesën e policisë së shtetit, duke shpikur autorë një autor tjetër, një thikë tjetër, fatmirësisht kjo vrasje është regjistruar në video.
Jo vetëm është hetuar në detaje nga Prokuroria, por është në video nga A-ZH, si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka thikë tjetër, dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata kur njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje ka ku për fatin më të keq është shkaktuar një vdekje e një fëmije, ky është fakt”, tha Rama.
Pavarësisht pretendimeve të kryeministrit dhe policisë, familjarët e të përfshirëve në këtë ngjarje ende nuk u janë treguar provat që vërtetojnë këto pretendime. Si shpesh herë kur ka mungesë transparence, polica mundohet të fsheh diçka. Njëjtë ndodhi dhe me vrasjen e Egli Progës në Pogradec ku Policia u mundua ta paraqes ngjarjen si diçka aksidentale. Ose edhe rasti i Klodian Rashës i cili u vra nga efektivi i policisë.
Lini një Përgjigje