
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim duket se është drejt largimit. Mandati i saj ka përfunduar, ndërkohë sot Senati i SHBA ka nisur procedurat për ta zëvendësuar.
David Kostelancik, i propozuar nga Joe Biden për të marrë detyrën si ambasador i ri i SHBA-së në Shqipëri, mbajti fjalën e tij në Senatin amerikan. Kostelancik e cilësoi si qëllim kryesor të Shteteve të Bashkuara, luftën ndaj korrupsionit në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke dërguar një mesazh të fortë për politikën se SHBA nuk ka për të ndërruar kurs pavarësisht ndryshimit të diplomatëve.
Ai e vuri theksin te reforma në drejtësi si një ndër prioritetet kryesore që Shqipëria të avancojë drejt rrugës Evropiane. Kostelancik shtoi gjithashtu se bazuar te eksperienca e tij 30-vjeçare dhe dëshira e madhe për të forcuar partneritetin SHBA-Shqipëri, është i duhuri për të qenë ambasadori i ri në vendin tonë.
“Është një detyrë e rëndësishme dhe për shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Reforma në drejtësi do të ndihmojë Shqipërinë të ecë përpara drejt institucioneve evropiane. Unë do të forcoj partneritetin me Shqipërinë, e kam ndjekur marrëdhënien që ka krijuar stafi i Ambasadës amerikane në Tiranë për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e sulmeve kibernetike nga Irani. Ne duhet të forcojmë pra mbrojtjen ndaj këtyre sulmeve, edhe në të ardhmen. Për të mbrojtur infrastrukturën online të shërbimeve qeveritare shqiptare. Unë do ta forcoj klimën e biznesit në Shqipëri për të nxitur investimet amerikane, për të krijuar një treg transparent për investime të reja.
Shqipëria po bën progres në rrugën e integrimit euro-atlantik, nëse unë do të konfirmohem nga Senati, do të kem nderin që të ndërtoj mbi bazën e eksperiencës time 30-vjeçare, forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ju falënderoj për nominimin dhe jam i hapur për pyetjet tuaja”, tha Kostelancik.
David Kostelançik është një diplomat me karrierë të gjatë në DASH. Aktualisht punon si këshilltar në shtabin e ushtrisë amerikanë në Pentagon. Ka shërbyer dy herë si ambasador në Rusi dhe zëvendës ambasador në Hungari. Në DASH ka drejtuar byronë për Europën Jugore si dhe zyrën për Rusinë.
Nëse Senati do t’i japë dritën jeshile, për David Kostelançik kjo do të jetë hera e dytë për të punuar si diplomat në Shqipëri. Në vitet 1993-1995 ai ka qenë pjesë e Ambasadës amerikane. David Kostelançik flet gjuhët e huaja, ruse, hungareze, turke dhe shqip.
Lini një Përgjigje