
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji reagoi mbi qëndrimin e kryetarit të komanduar të PD-së Enkelejd Alibeajt, për të cilin tha se nuk ka as 61 emra për kandidatë për bashki për zgjedhjet vendore.
“Ka vetëm një opozitë dhe një tjetër që ka sigël dhe vulë ndërkohë që nuk ka 61 kandidatë për të kandiduar. Nëse çdo parti hyn dhe garon, vota për kandidatin është vota për partinë. Kur nuk ka mundësi që të nxjerrë 61 kandidatë si do ta luftosh regjimin si do të shkatërrosh Berishë. Nuk kanë kandidat dhe lënë në baltë të gjithë njerëzit që i kanë ndjekur,” tha Salianji.
Salianji theksoi se e vetmja arsye pse mbahet vula është se janë paratë që vijnë nga buxheti i shtetit. Ai pruri në vëmendje se është konfiskuar PD nga Alibeaj dhe se ata i kanë vënë qepenin asaj partie.
“Duke bërë një tradhti tjetër ndaj elektoratit që të themi se duan Berishën. E vetmja arsye pse mbahet vula është se janë paratë që vijnë nga buxheti i shtetit. Këto e kanë pronësuar një parti të vogël, nuk u intereson as rezultat asgjë. E vetmja gjë që do të japin është justifikimi që do të japin për rezultatin e dobët. Jemi në një situatë kur gjykata u ka dhënë vulën, Rama u ka dhënë mbështetjen dhe duan edhe elektoratin e Berishës. Më vjen keq që është konfiskuar sigla e PD-së. I kanë vënë qepenin asaj partie që morën peng. Nëse je kundër Berishës duhet të marrësh pjesë në zgjedhje dhe të tregosh se ke elektorat. E kanë hequr betejën dhe e kanë njohur zyrtarisht Berishën si udhëheqës. Ku do të shkojë dikush që mendon ndryshe”, tha Salianji.
Ndërkohë kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj ka nxjerrë kandidatë në 16 bashki të vendit si: Mallakastër, Poliçan ,Kuçovë, Kamëz, Lezhë, Krujë, Dibër, Dimal, Patos, Fier, Librazhd , Vorë, Korçë, Sarandë, Mirditë, Tiranë .
Nga gara e 14 majit janë tërhequr Sandër Marku në Lezhë, Genc Doçi në Kurbin, Gjergji Gjata në Korçë dhe Bujar Vreto në Librazhd. Shkak i tërheqjes së tyre është lista e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë.
Në garën për 14 majin nuk është regjistruar as kandidati i prezantuar prej Alibeajt në Librazhd, Bujar Vreto, ndërsa kryesia e PD-së së Vorës ka vendosur të mos zyrtarizojë Ibrahim Brukën.
Bashkitë, në të cilat Alibeaj nuk ka nxjerrë kandidatë, janë ato të Elbasanit, Durrësit, Shkodrës e Lushnjës, ku demokratët e bazës kanë vendosur të mbështesin emrat e primareve të Berishës.
Lini një Përgjigje