
Pamë në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e prillit 2021 që u vunë re mangësi, të cilat përfshijnë blerjen e votes. Përfshijnë abuzimin dhe kepërdorimin e fondeve shtetërore, gjë që flet për politizimin e disa elementeve dhe aktiviteteve të administrimit...
Ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka dërguar një tjetër mesazh politikës sa i takon zgjedhjeve vendore. Ajo e ka bërë të qartë në një intervistë për VOA se kërkon një proces të lirë dhe transparent.
Por i ka dhënë dhe një goditje qeverisë. Sipas saj është përgjegjësi e saj të garantojë zgjedhje sa më të rregullta. Ajo tha se ODIHR në zgjedhjet e fundit konstatoi se ka pasur blerje dhe tjetërsim votash.
“Qëndrimi i SHBA për sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është shumë konseguent dhe shumë i qartë. Pritshmëria jonë është që një vend si Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian, do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare. E dimë që ka vend për përmirësim.
Pamë në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e prillit 2021 që u vunë re mangësi, të cilat përfshijnë blerjen e votes. Përfshijnë abuzimin dhe kepërdorimin e fondeve shtetërore, gjë që flet për politizimin e disa elementeve dhe aktiviteteve të administrimit. Presim që qeveria shqiptare dhe ata që janë përgjegjës, aktorët përgjegjës, përfshi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe udhëheqësit politikë, do të marrin masa”, tha Kim.
Kim ishte më e drejtpërdrejtë kur deklaroi se ka pasur keqpërdorim të fondeve publike në fushatë. Nga ana tjetër ajo e vuri theksin te kandidatët, duke deklaruar se SHBA pret persona të pastër dhe jo me rekord e kriminale.
“Është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara gjithmonë ka qenë shumë i qartë për këtë. Sigurisht, do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha autoritetet, me udhëheqësit dhe anëtarët e partive politike, që të përpiqemi për të bërë më të mirën për të mbështetur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Megjithatë, kjo është përgjegjësi e qeverisë shqiptare dhe udhëheqësve politikë shqiptarë. Është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që udhëheqësit politikë, të partive politike të marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre për të ndjekur rregullat dhe kjo përfshin edhe krijimin e listave dhe ofrimin e kandidatëve me integritet. Populli shqiptar meriton kandidatë të pastër. Duam të shohim që me çdo zgjedhje, lista e kandidatëve të bëhet gjithnjë e më e pastër”, tha ambasadorja Kim.
Deklarata e Kim duket se ishte një mesazh i qartë për qeverinë, se është ajo që duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu ishte dhe një goditje mbi ato që po bën Rama, pasi sërish po përdoren institucionet shtetërore për fushatë dhe sigurim votash.
Lini një Përgjigje