
Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë nisur pra kohe fushatën, duke prezantuar kandidatët e tyre në bashkitë e vendit.
Meta prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Lezhës, Pashk Gjoni, ku nuk kurseu sulmet dhe akuzat ndaj mazhorancës. Meta tha se kryebashkiakët që ka emëruar “Rilindja” një e treta e tyre nuk janë më në zyra për shkak të skandaleve.
“Ju e dini që në 4 vjet edhe me kryetarët që emëroi rilindja 1/3 nuk janë në zyra për shkak të skandaleve që kanë pasur. Edhe ky i fundit të Kuçovës doli me probleme. Ku do ku vënë dorën ata kanë problem., E tillë është filozofia e tyre.
Ata zgjedhin shërbëtorë të verbër që të firmosin fët e fët. Siç firmos Rama që 400 e ca milion euro të shkojnë në offshore.
Modeli ynë është ai i uljes së taksave. Me Dr Pashkun ne do ti bëjmë të qartë cdo qytetari të Lezhës të gjitha potencialet që ka Lëzha”, tha ai.
Më tej Meta duket se i dërgoi mesazh Berishës. Ai u shpreh se koalicioni me të do të vazhdojë gjatë.
“Koalicioni ynë është afatgjatë, nuk është thjesht për zgjedhjet e 14 majit. Dy shtyllat kryesore janë çrrënjosja e monizmit dhe vendosja e demokracisë njëherë e përgjithmonë. Pas 14 majit do të shtojmë përpjekjet tona, që është ajo e mundësisë së popullit për të vendosur me referendum. Në mënyrë që kurrë në historinë e vendit tonë një pakicë mos kapë shtetin dhe ta kthejë vendin në një njollë të zezë”, tha Meta.