
Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka dalë në terren për të monitoruar procesin e zgjedhjeve. Ajo ishte në Vlorë, ku pa nga afër procesin në një qendër votimi.
Ambasadorja deklaroi se ka dalë në cilësinë e vëzhgueses, si shumë përfaqësues të tjerë të ambasadës. Ajo kërkoi të ndalen presionet ndaj votuesve dhe shitblerja e votës.
“Kam vizituar disa qytete. Kam qenë në Nivicë, Selenicë, këtu. Jam duke ndjekur edhe situatën në Himarë. Dhe do të jem e pranishme në shume qytete të tjera. Natyrisht që jam një nga vëzhgueset e shumta në këto zgjedhje. Nuk duhet të ushtrohet presion mbi asnjë votues, është e rëndësishme që secili të ushtrojë të drejtë, asnjë s’duhet të shesë apo blejë votën. Është përgjegjësia e autoriteteve që t’i zbatojnë ligjet në mënyrë të barabartë”, tha Yuri Kim.

Më herët pati një reagim në rrjetet sociale nga ambasadorja. Ajo shprehej se të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të ushtrojnë sot të drejtën e tyre themelore demokratike përmes votës.
"Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin", shkruan Yuri Kim.
Procesi vijon prej orës 07.00 dhe deri më tani pjesëmarrja është e ulët. Incidente ka pasur vetëm në Durrës dhe në Fushë Krujë.
Lini një Përgjigje