Deputetët socialistë rrëzuan gjatë seancës plenare kërkesën e paraqitur nga opozita për të nxjerrë nga rendi i ditës së punimeve të Parlamentit pikën për zgjedhjen e Avokatitt ë Popullit.
Me 77 vota kundër të deputetëve socialistë dhe 30 pro të opozitës, Kuvendi vendosi të rrëzojë kërkesën e PD-së, ndërsa emrat e kandidatëve për Avokat të Popullit do t’i nënshtrohen votimit në seancën e sotme. Votimi do të jetë i fshehtë për secalin nga emrat që paraqitet si kandidat për Avokat të Popullit.
Në garën për avokat të Popullit janë Adriana Kalaja, Besim Ndregjoni, Endri Shabani, Aranita Brahaj, Tartaj Bazaj dhe Skënder Halucaj.
Partia Demokratike ka deklaruar tërheqjen e firmave për kandidatët, që zyrtarisht i ishin paraqitur Kuvendit si kandidatura të opozitës, ndërsa socialistët kishin deklaruar se propozimet i ishin lënë opozitës.
Duket se i gjithë debati është përqëndruar te emri i Endri Shabanit, i mbështetur me firma nga opozita, dhe që konsiderohet nga kjo e fundit si një emër që mbështet nga Edi Rama.
Madje, Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvend, e cilësoi si “lepuri i Surrelit”, por Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, tha se kur flitet për lepujt, duhet të flasim edhe për zagarët. Në këtë kuadër, Balla lexoi emrat e deputetëve të PD-së që kishin mbështetur me firmë kandidaturën e Shabanit.
Opozita pritet të bojkotojë procesin e votimit për Avokatin e Popullit, si të vetmen rrugë për të shpresuar që emrat që do të kalojnë për votim, të mos arrijnë të sigurojnë 84 vota, ndërsa socialistët kanë 83 mandate. Por duke pasur parasysh mungesat ndoshta gjatë seancës, ky numër mund të reduktohet.
Lini një Përgjigje