
Kreu i ‘Nisma Thurje’ Endrit Shabani tha se është në diskutim me disa parti të reja për t’u bashkuar në një koalicion në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Vetë Shabani, konfirmon se është në diskutim me “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, por edhe me grupime të tjera, dhe një parti të formuar së fundmi, “Djathtas 1912” e Alibeajt.
Shabani thotë se po diskutohet që të jenë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme dhe madje po shihet mundësia që lista e kandidatëve për deputetë të jetë e hapur.
“Me Shqipëria bëhet, Adriatik Lapajt, janë disa grupime të tjera, një nga Diaspora dhe një grupim tjetër që po formohet së fundmi. Diskutimi është që të jemi në një listë të përbashkët dhe do përpiqemi ta kemi listë të hapur, përmes një makinacioni ligjor, kështu na e kanë vendosur”, tha Shabani për “Report Tv”.
Ai deklaroi se kurrsesi nuk mund të ketë bashkim me Sali Berishën dhe Ilir Metën, pasi sipas tij nuk përfaqësojnë të njëjtën gjë.
“Padyshim që do duhet të bëhen bashkë, në opozitë ka ravijëzime, disa modele. PD dhe fraksionet e PD. Kanë dalë nga gjiri i PD, kanë qenë deputetë që kanë marrë mandatin në PD. Duhet të bëhen bashkë për të fuqizuar atë që përfaqësojnë. Forcat e reja nuk përfaqësojnë të njëjtën gjë. Nëse ne bashkohemi me Berishën apo Metën, ne nuk ekzistojmë më si alternativë. 80% e atyre që thonë që Nisma Thurje është alternative e parë, 80% prej tyre thonë që nëse Nisma Thurje nuk merr pjesë në zgjedhje thonë se nuk do shkojnë të votojë. Mendoj që këta njerëz kanë të drejtën të kenë një zë në kuvend, nuk mund ti bashkojmë ujërat e zeza me ujin e malit, siç është bërë me Lanën”, u shpreh Shabani.
Lini një Përgjigje