
Ish-deputeti i PD, Myslim Murrizi, ka paralajmëruar se i gjithë tensioni politik i akumuluar gjatë fushatës elektorale do të shfryhet pas zgjedhjeve.
I ftuar në emisionin “Drejt”, Murrizi i bëri thirrje qytetarëve që të mendohen para se të hedhin votën dhe më pas të bëhen pishman. Pasi sipas tij një qeveri e cila 4 vjet shan dhe mallkon dhe qeverisë me arrogancë dhe hajdutllëk nuk mund të bëhet i mirë brenda 3 sekondave.
“Është e diele, pas të dielës vjen e hëna. Do të votojnë shqiptarët, do të shfryhet e gjithë kjo që shikon, që janë pozicionuar në kampe, trasta lekësh atje, punësime fiktive, mllef, sherr, pritshmëri e madhe. Do të jetë një ditë e zakonshme data 15 si gjithë ditët pas zgjedhorë që kanë ndodhur në 20 palë zgjedhje në Shqipëri. Shpresoj shumë që qytetarët të votojnë për veten e tyre. Ka faj populli. Nëse 4 vjet shan dhe mallkon si vetëm dhe në shtëpi për keqqeverisje, arrogancën, hajdutllëkun e kujtdo që është në pushtet dhe harron 3 sekonda kur shkon te kutia dhe bëhesh pishman prapë si nuk qenke fajtor. Nëse vajton në 20 palë zgjedhje me fëlliqësirat, më mashtruesit, më fundërrinat dhe ti thua je viktimë? Jo, ta gëzosh, ta kesh në kurriz. Në 2013 i binte dajres në autobus, në 2017 tha do përzë Metën më jepni rrotën, tepsinë, timonin se kishte atë në prehër, pa program, në 2021 nuk u mor fare, me Lulin e kam nuk e kam. Tani ka marrë lopatën në dorë, po e la se i ka hyrë uji. Është bërë zeoteknik, prezanton kuaj dhe gomerë. Nuk ka më lopata. Ka ndërruar zanat”, tha ai.