TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Tetor 2025, 14:33

Zgjedhjet në veri: një referendum i heshtur për sovranitetin

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Zgjedhjet në veri: një referendum i heshtur për sovranitetin
Mitrovica /

Në katër komunat serbe të Kosovës po zhvillohet një garë pa garues dhe një votim që mat më shumë bindjen politike sesa pjesëmarrjen qytetare...

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës; Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë më shumë sesa një proces elektoral. Ato janë një test politik dhe diplomatik për të matur se sa i zbatueshëm është sovraniteti i shtetit të Kosovës në një territor që vazhdon të funksionojë nën hije të ndikimit serb.

Këto zgjedhje vijnë pas një krize të gjatë të legjitimitetit, që kulmoi me bojkotin e Listës Serbe në vitin 2023, përleshjet e dhunshme në komunat veriore, ndërhyrjet e KFOR-it dhe kritikat e ashpra ndërkombëtare ndaj qeverisë Kurti.

Tashmë, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve, Kosova po përpiqet të restaurojë një formë të normalitetit institucional në veri, por me pjesëmarrje që, në orët e para, ka rezultuar e ulët dhe nën kërcënimin latent të bojkoteve të reja të organizuara nga Beogradi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës nuk janë thjesht lokale; ato janë një pasqyrë e thellë e përplasjes së sovranitetit mes Prishtinës dhe Beogradit. Me një pjesëmarrje të ulët dhe me presionin e Listës Serbe që vijon të dominojë jetën politike përmes kontrollit të frikës, Kosova tenton të rikthejë kontrollin institucional, ndërsa Perëndimi kërkon të shmangë krizat pa i zgjidhur. Çdo votë e hedhur sot është një akt politik, një zgjedhje midis një Kosove funksionale dhe një autonomie të komanduar nga jashtë.

Lista Serbe, edhe pse formalisht e distancuar nga pjesëmarrja, ka aktivizuar të gjithë aparatin e saj informal për të frikësuar votuesit, për të dekurajuar pjesëmarrjen dhe për të ndërtuar narrativën se “veriu i Kosovës nuk i njeh këto zgjedhje”. Për më tepër, përfaqësues të kësaj strukture e kanë bërë të qartë se nuk do të njohin rezultatet, nëse ato nuk prodhojnë një fitore të sajuar për interesat e Beogradit.

Në këtë mënyrë, zgjedhjet po zhvillohen në një terren ku secili votues serb i veriut duhet të zgjedhë jo mes kandidatëve, por mes dy realiteteve politike: ai i një Kosove të pavarur me institucione legjitime, apo ai i një autonomie paralele të dirigjuar nga Vuçiç.

Për qeverinë e Kosovës, këto zgjedhje janë përpjekje për të ndrequr një situatë që u keqmenaxhua politikisht dhe diplomatikisht vitin e kaluar, kur përkundër paralajmërimeve ndërkombëtare, u emëruan kryetarë komunalë pa përfaqësim real në komunitetin serb.

Tani, me presionin e ndërkombëtarëve dhe kushtëzimin për rrugën evropiane, Kurti është detyruar të pranojë rregulla loje që nuk janë ideale, por të domosdoshme.

Nga ana tjetër, vetë komuniteti ndërkombëtar ka kthyer sytë në veri, jo për të mbështetur domosdoshmërisht institucionet e Kosovës, por për të ruajtur një lloj “balanci të brishtë” që shpesh shkon në favor të politikave serbe.

Në këtë kontekst, çdo votë në këto komuna ka peshën e një akti politik shumë më të rëndësishëm sesa një zgjedhje lokale, është një deklaratë e drejtpërdrejtë për atë se kujt i përket legjitimiteti në veri: Kosovës, apo Beogradit.

Ky proces nuk duhet parë si një fund i krizës, por si një episod i ri në një betejë më të madhe për kontrollin mbi veriun. Me pjesëmarrje që me gjasë do të mbetet e ulët dhe me sfidën e vazhdueshme të ndërhyrjes së Listës Serbe, zgjedhjet e 2025 nuk do të zgjidhin problemin, por do të nxjerrin më qartë në pah realitetin politik: se pa një ndryshim rrënjësor në qasjen e Perëndimit ndaj strukturave paralele, dhe pa një konsensus të ri mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës që të ndajnë pushtetin pa diktim nga jashtë, veriu do të mbetet fusha më e minuar e shtetësisë kosovare./Pamfleti

veriu i kosovës zgjedhjet referendum sovraniteti

Lini një Përgjigje