TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Prill 2026, 11:37

Aksion kundër lojërave të fatit në Kosovë, arrestohen 34 persona; sekuestrohen 170 mijë euro, automjete dhe armë zjarri

Shkruar nga Pamfleti

Aksion kundër lojërave të fatit në Kosovë, arrestohen

Të paktën 34 persona janë arrestuar në Kosovë gjatë një operacioni të gjerë policor kundër organizimit të skemave piramidale dhe lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.

Aksioni është zhvilluar në disa rajone, përfshirë Mitrovicën, Vushtrrinë, Istogun dhe Skënderajn. Sipas raportimeve, policia ka kryer kontrolle në rreth 50 lokacione të ndryshme, mes tyre ambiente biznesi dhe banesa private.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme.

“Janë arrestuar 34 persona të dyshuar. Janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private; Janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë: rreth 170,000 euro para të gatshme, pesë (5) automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme”, njofton policia.

Njoftimi i policisë:

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka realizuar një sërë operacionesh të koordinuara në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt me qëllim të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Bazuar në raportet zyrtare, gjatë këtyre operacioneve janë arritur këto rezultate:

-Janë arrestuar 34 persona të dyshuar.

-Janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private;

-Janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë:

– rreth 170,000 euro para të gatshme,

– pesë (5) automjete,

– armë zjarri,

-si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit kompetent:

29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Veprime policore në këtë fushëveprim, gjithashtu janë ndërmarr edhe nga hetimet rajonale dhe stacionet kompetente policore, ku ka pasur rezultate konkrete në parandalim dhe po ashtu arrestim të personave të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale. Në totalin e bastisjeve/kontrolleve dhe arrestimeve janë përfshirë edhe veprimet e ndërmarra policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione të ndryshme, 8 persona janë arrestuar dhe nga ta 4 janë derguar në mbajtje.

Këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe organizimit të aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria vlerësojnë lart profesionalizmin, përkushtimin dhe efikasitetin e zyrtarëve policorë dhe hetuesve të përfshirë në këto operacione komplekse, të cilat janë zhvilluar në disa faza dhe lokacione të ndryshme. Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë kyç në arritjen e këtyre rezultateve konkrete.

Institucionet e zbatimit të ligjit mbeten të përkushtuara në luftimin e çdo forme të kriminalitetit dhe ftojnë qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë përmes kanaleve zyrtare.

Lini një Përgjigje