Kosova23 Shkurt 2023, 14:18

Albin Kurti i zhgënjyer nga BE: Plani franko-gjerman nuk është produkt i negociatave

Shkruar nga Pamfleti
Albin Kurti i zhgënjyer nga BE: Plani franko-gjerman nuk është
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar ditën e sotme se  propozimi europian nuk është produkt negociatash.

Sipas tij në 18 gusht të vitit të kaluar është hapur vërtet diskutimi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë, por nuk ka pasur takime për atë temë, “ku pala tjetër nuk ka qenë as e interesuar e as e gatshme për këtë, dhe tri javë pas atij takimi, erdhi propozimi”, thotë Kurti.

Këto komente, Kurti i bëri në Kuvendin e Kosovës, kur u pyet për temat që pritet të diskutohen në takimin e së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

“Nuk është se ne kemi negociuar dhe është paraqitur propozimi. Propozimi ka të bëjë shumë më tepër me historinë prej mbi një dekade të dialogut të Brukselit. Pra, propozimi nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve”,  sqaroi ai.

Sipas Kurtit, aleatët e Kosovës e kanë krijuar propozimin europian si një pako që synon të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, “dhe që përmban njohjen de-facto, e gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një kushtetutë të sistemit ndërkombëtarë pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet mes shteteve të pavarura”.

Nga sa kanë pohuar burime të BE-së, tema kryesore e takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiç do të jetë pikërisht plani europian për normalizimin e plotë të raporteve mes Prishtinës e Beogradit. Propozimi evropian u është dorëzuar palëve në shtator të vitit të kaluar, të cilat e kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

plani franko-gjerman asociacioni kurti