Kosova23 Shkurt 2023, 12:30

Vlora Çitaku: Të hënën Kurti nënshkruan Asociacionin në Bruksel

Shkruar nga Pamfleti
Vlora Çitaku: Të hënën Kurti nënshkruan Asociacionin
Foto ilustruese

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se në takimin e së hënës që do të mbahet në Bruksel mes presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Albin Kurti do të nënshkruhet marrëveshja sipas planit franko-gjerman, ku parashihet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndër të tjera Çitaku shton se plani franko–gjerman nuk erdhi nga asgjëja, por ai është produkt i negocimit të kryeministrit prej dy vitesh.


“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur.  Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik”, ka shkruar Çitaku.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se do t’i përmbahet vijave të kuqe për çështjen e Kosovës  në takimin e së hënës në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

I pyetur nga mediat gjatë një aktiviteti të mbajtur mbrëmë në Beograd nëse të hënën në Bruksel, duke pasur parasysh parajmërimet e BE-së se pritet një lloj pranimi i propozimit franko-gjerman, Vuçiç ka përmendur deklaratat që ka bërë ditë më parë në Kuvendin e Serbisë, raportojnë mediat atje.

nënshkruhet asociacioni në bruksel kurti asociacioni