
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar sot në Bujanoc se “Marrëveshja e Brukselit ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe jo me çështjen e pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës.
“Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, qëllimi i dialogut nuk është të zgjidhë ndonjë çështje tjetër, çështjet e pakicave këtu apo në pjesë të tjera të vendit”, u shpreh Hill, shkruan Euronews Serbia.
Hill theksoi se çështja e minoritetit shqiptar në Serbi është ekskluzivisht çështje e shtetit të Serbisë dhe përsëriti se nuk ka të bëjë fare me dialogun e Brukselit.
Sipas tij, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështesë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, pjesë e rëndësishme e së cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë në asnjë mënyrë”, ka thënë ndër të tjera ambasadori amerikan.