Kosova 2 Qershor 2023, 17:15

"Ankohej dhe fyente në gjuhën serbe", Vjosa Osmani rrëfen prapaskenat e takimit me Vuçiç në Moldavi

Shkruar nga Pamfleti

"Ankohej dhe fyente në gjuhën serbe", Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur pas takimit me Aleksandër Vuçiç në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, në Moldavi.

Në konferencën për media, ajo ka thënë se Vuçiçi “si gjithmonë, vajtonte, ankohej e nuk tregonte të vërtetën”.

“S’e kam pasur asnjë plan që të takohesha me Vuçiçin. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë po vazhdon në Bruksel dhe ishte insistim që nga mëngjesi i liderëve evropianë dhe si presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës dua të tregoj konstruktiviteti, si virtyt të popullit tonë, që të tregojmë vullnet se mund të flasim me të gjithë. Ia kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit Serbisë për vite të tëra. S’është hera e parë që e gjejmë veten me Vuçiçin në takime të tilla. Më duhet ta them se takimi, i mbajtur me insistimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, të cilëve ua respektova kërkesën duke qenë se janë ndër aleatët më të ngushtë, nuk ishte takim negociues, por shkëmbim pikëpamjesh. Mund ta them se Vuçiçi vajtonte, ankohej e sigurisht nuk tregonte të vërtetën, që është virtyt i tij, duke qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se e ka pyetur Vuçiçin nëse konsideron se a ka marrëveshje me Kosovën a jo.

“Është pyetje kyçe sepse u zotua në Bruksel e pastaj thotë se s’do ta implementojë duke vënë në pikëpyetje gjithçka. Së dyti, i kërkova të heqë ushtrinë nga kufiri, dhe së treti që të heqë përkrahjen për bandat kriminale që po shkaktojnë dhunë. Dhe në fund ritheksova përkushtimin e Kosovës për të implementuar çdo pikë të marrëveshjeve”, ka thënë Osmani.
Ajo ka treguar se më pas, Vuçiçi ka nisur me fyerje në gjuhën serbe.

vjosa osmani vuçiç