Kosova23 Shkurt 2024, 17:53

Apeli kthen për rigjykim vrasjen e Marigona Osmanit, çfarë do të ndodhë me dy autorët

Shkruar nga Pamfleti

 Apeli kthen për rigjykim vrasjen e Marigona Osmanit, çfarë do
Gjykata e Apelit ka kthyer për rigjykim çështjen ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur vrasjen e Marigona Osmanit.
Në gusht të një viti më parë, një prej të akuzuarve, Dardan Krivaqa, ishte dënuar me burgim të përjetshëm ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vite burgim si bashkëpunëtor.

Gjykata e Apelit ka pranuar ankimimet e avokatëve dhe tha se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit, duke rikthyer rastin në rigjykim, ndërkaq të akuzuarit do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Sipas vendimit të Apelit të marrë më 22 shkurt 2023, shkeljet e dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore. Po ashtu sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimi nga shkalla e parë është ndërtuar duke marrë për bazë kryesisht motivin e xhelozisë për kryerjen e kësaj vepre.

Po sipas Apelit, mënyra e ndërtimit të akuzës dhe me pas e ricilësimit nga gjykata e shkallës së parë, është hipotetike e dykuptimshme dhe e bën konfuz aktgjykimin. Gjithashtu, edhe për të akuzuarin Sejdiu, Apeli ka gjetur se përkundër ricilësimit të kësaj vepre penale nuk ka të arsye të qarta dhe bindëse se cilat ishin veprimet e Sejdiut në drejtim të veprës penale.

Në fund, Apeli ka udhëzuar Gjykatën Themelore në Ferizaj që gjatë rigjykimit të kujdeset që veprimet e të akuzuarve të përfshihen në norma materiale të veprave penale përfshirë edhe pjesën liruese, duke i saktësuar qartë dhe kuptueshëm të gjitha faktet.

18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e dhunuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit. Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit. Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

marigona osmani