
Senatori amerikan Chris Murphy, ka thënë se se marrëveshja Kosovë-Serbi është shumë rëndësishme për të ardhmen euro-atlantike të të dyja vendeve. Por Murphy ka deklaruar se askush nuk e dëshiron një Bosnjë tjetër, duke ju referuar Asociacionit.
Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, që mbajnë çelësat e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ka deklaruar ai, do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për cilindo vend që t’u bashkohet atyre organizatave, nëse nuk tejkalohen dallimet ndërmjet palëve.
“Mendoj se është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kam kaluar shumë kohë në Ballkan. Unë mendoj se është një rajon tepër i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Është një rajon ku nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë. Kam kaluar shumë kohë me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiçin dhe të dy kanë bërë, mendoj, lëvizje shumë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka deklaruar për Murphy për VOA, transmeton Gazeta Express.
Ai ka theksuar se marrëveshja nuk është pa rrezik politik, por mendon se është një rrezik që ia vlen të ndërmerret.
“Unë besoj se të dyja palët janë serioze për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe mendoj se mund të jetë gurthemel për punën e vazhdueshme për t’u siguruar që secili vend të njohë dhe respektojë qytetarët e vendit tjetër dhe të drejtën e secilit komb për t’u bashkuar me institucionet ndërkombëtare për t’u bërë anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar senatori.
Murphy ka thënë se është në të mirë të Kosovës dhe Beogradit që të zbatohet kjo marrëveshje.
“Nuk mendoj se është një politikë e mirë për fuqitë ose entitetet e jashtme që t’i detyrojnë vendet të bëjnë diçka që nuk duan ta bëjnë ose mendojnë se nuk është në interesin e tyre më të mirë. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një çështje që Shtetet e Bashkuara ofrojnë stimuj dhe pasoja. Kjo thjesht nuk është e dobishme sipas mendimit tim. Ne duhet të punojmë me udhëheqësit dhe grupet elektorale në Kosovë dhe Serbi për t’i bindur ata të bëjnë atë që është e drejtë për vendet e tyre. Dhe njohja e ë është e drejtë dhe është pozitive si për të ardhmen politike ashtu edhe për atë ekonomike të të dyja vendeve”, ka thënë ai për mediumin.
Ai, gjithashtu, ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Murphy ka thënë se askush nuk e dëshiron një Bosnjë tjetër, porse Kosova duhet të garantojë një shkallë të kufizuar vetëqeverisjeje për komunat serbe.
“Dëgjoni, askush nuk e dëshiron një Bosnjë tjetër. Kjo nuk duhet të jetë e ardhmja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë kam biseduar me zotin Kurti në disa raste dhe i kam shpjeguar se në Shtetet e Bashkuara, kemi një qeveri të fortë federale. Ne kemi një ndjenjë të fortë të patriotizmit amerikan, por kemi gjithashtu qeveri të forta shtetërore. Ne gjithashtu u kemi dhënë mundësinë njerëzve në Oklahoma dhe Connecticut për të krijuar një të ardhme për veten e tyre. Ky është ndryshimi. Mendoj se sigurisht që ka një mënyrë që Kosova të vërë në jetë një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për ato që janë komunat me shumicë serbe dhe ta bëjë këtë në një mënyrë që nuk e copëton strukturën e vendit. Ky është një zotim që është bërë në Bruksel dhe që Kosova duhet ta bëjë si duhet. Më vjen mirë që kjo është pjesë e kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar ai për VOA.