Kosova31 Mars 2023, 15:38

Gjyqi ndaj ish drejtuesve të UÇK-së – dëshmi e nevojës së vazhdueshme për drejtësi

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqi ndaj ish drejtuesve të UÇK-së – dëshmi e

Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” tha të premten se gjykimi i ish udhëheqësit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre të tjerëve, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, vë në pah nevojën e vazhdueshme për drejtësi, 24 vjet pas luftës në Kosovë.

Deklarata e organizatës “Human Rights Watch”, u publikua pak ditë para fillimit të gjykimit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Procesi ndaj tyre pritet të fillojë të hënën me 3 prill në Gjykatën e Posaçme me seli në Hagë.

Drejtori për Evropën dhe Azinë në Human Rights Watch, Hugh Williamson, tha se gjykimi ofron një mundësi pas kaq shumë të mësojnë çfarë ka ndodhur, dhe vë në pah pandëshkueshmërinë që vazhdon të ekzistojë për konfliktin në Kosovë, por edhe për luftërat tjera në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

"Ky gjyq është ndaj katër personave të akuzuar për kryerjen e krimeve të tmerrshme gjatë dhe pas luftës, kur luftimet ishin ndalur, duke përfshirë krimet kundër pjesëtarëve të grupeve të ndryshme etnike", tha zoti Williamson.

Sipas organizatës Human Rights Watch, mbrojtja e dëshmitarëve është veçanërisht e rëndësishme për këtë gjyq duke pasur siç thuhet parasysh sfidat me frikësimin e dëshmitarëve në rastet tjera kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjyqi ndaj (Hashim) Thaçit mund të ndihmojë në vendosjen e Kosovës në një rrugë më të qartë drejt drejtësisë dhe sundimit të ligjit pas një historie shtypjeje”, tha zoti Williamson duke shtuar se ky po ashtu “e vë në qendër të vëmendjes qeverinë serbe që të mbajë forcat e veta para përgjegjësisë pas vitesh mbrojtjeje të atyre që janë përgjegjës për krime të rënda”.

Ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u arrestuan në nëntor të vitit 2020. Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, dhe zhdukje me forcë të personave. Sipas prokurorisë, krimet e pretenduara prej saj, janë kryer midis afërsisht prillit të vitit 1998 dhe gushtit të vitit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri.

Zoti Thaçi sikurse edhe të akuzuarit e tjerë kanë thënë se ndjehen të pafajshëm përballë akuzave.

"I nderuari gjykatës akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht. Ritheksoj akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat si të paqëndrueshme", tha zoti Thaçi që në paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake në nëntor të vitit 2020.

Ngjashëm janë deklaruar edhe të akuzuarit e tjerë duke theksuar se as ata e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk kanë të bëjnë me krimet e përshkruara në akuzë.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës 11 vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./VOA