Kosova31 Mars 2023, 13:11

Djegia e makinave në veri të Kosovës, Haradinaj: Incidentet, skenar për të penguar zgjedhjet

Shkruar nga Pamfleti

Djegia e makinave në veri të Kosovës, Haradinaj: Incidentet,

Kryetari i i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj incidenteve të fundit në veri të vendit, ku janë djegur disa vetura me targa RKS.

Ai ka bërë me dije se këto incidente janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri. Ai ka thënë se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga  BE dhe SHBA që të sigurojnë të gjitha  mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi .

“Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës. Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se nëse marrëveshja nuk zbatohet në terren, efektet e saj do të jenë të  ulëta. Ka theksuar se paqja në Kosovë është e pakompromist dhe të mënjanohen ata që e rrezikojnë.

“Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme. Paqja në Kosovë është e paalternativë dhe inkurajoj të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj.

kosova zgjedhjet lokale ne veri be shba