
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se nuk ka ndryshuar mendim për nismën rajonale, Ballkani i Hapur.
Kurti deklaroi se nuk ështe pro një nismë të tillë e cila sipas tij, nuk ka as platformë, as kontratë themelore, as strategji as plan veprimi.
“Nuk kam qëndrim tjetër. Ballkani i Hapur, me sa e di unë as ëebsite nuk ka. Pra, është një iniciativë që nuk ka as platformë, as kontratë themelore, nuk ka as strategji, as plan veprimi”, theksoi ai gjatë një interviste për media në Kosovë.
Ndër të tjera, Kurti tha se Ballkani i Hapur nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian dhe nuk ka financim nga unioni.
“Nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian, nuk e ka financimin e Bashkimit Evropian dhe unë nuk mund ta mbështes një iniciativë të tillë,” tha Kurti.
Kujtojmë se në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Në Ballkanin e Hapur bën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja refuzojnë të jenë pjesë e kësaj iniciative politike dhe ekonomike.
Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.
Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Lini një Përgjigje