Kosova22 Prill 2024, 12:31

BE ndëshkon Vuçiç: Nëse doni të integroheni, normalizoni raportet me Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
BE ndëshkon Vuçiç: Nëse doni të integroheni,
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiç

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka miratuar sot vendimin për të ndryshuar kornizën negociuese me Serbinë për anëtarësimin e saj në BE. Bashkimi Evropian i ka vënë kusht Serbisë për anëtarësimin, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

“Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”, thuhet në tekst.

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta miratuar ato, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

“Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse, se Marrëveshja për normalizimin [e marrëdhënieve] do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre të integrimeve evropiane. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë obligim të të dyja palëve”, tha Stano.

Stano konfirmoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

“Agjenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet po ashtu. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, shtoi ai.

Ky ndryshim ishte kërkuar të përfshihej si kusht në kuadër të kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit që prej arritjes së marrëveshjes para një viti.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja insiston se marrëveshja dhe aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet. /REL

albin kurti aleksandar vucic be