
Bashkimi Europian ka vendosur të pezullojë përkohësisht takimet me kryeministrin në detyrë dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, deri në formimin e një qeverie të re me mandat të plotë. Vendimi është komunikuar me një letër zyrtare të zyrës së BE-së në Prishtinë drejtuar institucioneve kosovare.
Sipas njoftimit, ky hap merret “në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit” dhe është në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës. Për këtë arsye, përfaqësuesit e lartë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë, derisa të krijohet kabineti i ri.
“Ky vendim riafirmon angazhimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional”, – thuhet në letrën e BE-së.
Ky qëndrim i Brukselit shihet si një mesazh i qartë për respektimin e rendit kushtetues dhe rregullave demokratike në Kosovë, në një periudhë tranzicioni politik, deri në formimin e qeverisë me mandat të plotë.
Lini një Përgjigje