
Bëni çfarë të doni, jashtë dhe brenda, ne nuk do të lejoj që të shkatërrohet Serbia dhe nuk do të ketë kurrë Kosovë të pavarur...
Betimi i drejtuesit të ri të Mitrovicës ka tërbuar presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Edhe pse serbët bojkotuan zgjedhjet, votimi u krye dhe sot Erden Atiç, ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.
Duke folur në një tubim në Pançevë, Vuçiç u shpreh se vështirësitë herë shkaktohen nga jashtë e herë nga brenda, duke shtuar se të gjithë ata që mendojnë se Serbia do të përfundojë lehtë, gabojnë. Nga ana tjetër ai tha se Serbia nuk do të pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Sot shqiptarët e Mitrovicës e kanë prezantuar kryetarin e tyre, i cili nuk ka marrë as tre për qind të votave. Ata thonë – po, është normale. Na thonë se çështja e legjitimitetit është kur dalin 55 për qind. Dhe për disa , me tre për qind legjitimiteti nuk vihet ne pyetje, dua të bej që asgjë nga kjo që po ndodh sot nuk është e rastit”, theksoi ai.
“Bëni çfarë të doni, jashtë dhe brenda, ne nuk do të lejoj që të shkatërrohet Serbia dhe nuk do të ketë kurrë Kosovë të pavarur”, shtoi ai.
Vuçiç duket se e ka inatin me ndërkombëtarët. Zgjedhjet u certifikuan nga organizmat e huaja dhe duket se kjo ka nxjerrë nga shinat Vuçiçin.
“Çfarë do të thoshin për Serbinë nëse në zgjedhje do të dilnin tre për qind e votuesve? Na thonë se është çështje legjitimiteti kur dalin mbi 50 për qind. Unë dua që ju të dini se asgjë që ndodh sot nuk është rastësisht. Ata menduan dhe prisnin që ne t'ua dorëzonim Kosovën në një pjatë. Ata prisnin që ne të thoshim se jemi pajtuar dhe se kanë pasur të drejtë kur na kanë bombarduar fëmijët dhe na kanë prishur fabrikat. Por meqenëse ne thamë se nuk do të heqim dorë nga normat juridike ndërkombëtare, Kushtetuta e Serbisë dhe integriteti territorial i Serbisë filluan të krijojnë probleme”, u shpreh ai.
Vuçiç po ashtu ka treguar se ka folur me përfaqësuesit evropianë gjatë ditës së sotme. Por ai ka vijuar me dezinformimet.
“Unë fola me përfaqësuesit evropianë sot dhe ata thonë se është një gabim. Gjithmonë është gabim, por në dëm të serbëve. Vetëm mos na bëni gjithmonë t'ju kuptojmë kur e keni gabim në dëmin tonë dhe në dëm të ligjit ndërkombëtar. Ne nuk kemi ku të shkojmë, jemi një vend i vogël dhe një komb i vogël, por kemi një karakteristikë që është të mbrojmë tonën, të mos kërkojmë asgjë nga të tjerët. Ne nuk do të heqim dorë nga ajo që është e jona dhe ju bëni presion sa të doni”, ka thënë ai.
Vuçiç duket se po e kupton se toka po i rrëshqet nën këmbë dhe tani vetëm hakërrehet dhe bën kërcënime në qiell të hapur.
Lini një Përgjigje