Kosova19 Maj 2023, 08:49

Betimi i kryetarëve të rinj në veri të Kosovës, KFOR: Jemi të përgatitur për çdo skenar të mundshëm

Shkruar nga Pamfleti

Betimi i kryetarëve të rinj në veri të Kosovës, KFOR:

Ditën e sotme pritet që një kryetar i ri i zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe, të marrë zyrtarisht detyrën.

Me anë të nië njoftimi, KFOR-i bën me dije se do ta monitorojë situatën dhe do të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për t'u siguruar për çdo skenar të mundshëm.

“Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës dhe situatës në përgjithësi sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas KFOR-it komandanti mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e EULEX-it, UNMIK-ut, OSBE-së, institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë së Kosovës.

“Misioni i udhëhequr nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Erden Atiç do të bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri. Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.

kfor betim kosove kryetare te rinj