
Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.
“Unë, Erden Atiç, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 Prill, Atiç nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.
Mësohet se situata vazhdon të jetë e qetë, nuk ka ndonjë paralajmërim për ndonjë protestë apo ndonjë paralajmërim të qytetarëve. Policia e Kosovës dhe KFOR janë të pranishëm dhe po kujdesen për sigurinë në këtë pjesë të Mitrovicës.
Përveç Atiç, sot pritet që të zgjidhet edhe nënkryetari i komunës. Ndërkohë më herët, pak para nisjes së seancës solemne, jashtë godinës së komunës u vendos flamuri i Republikës së Kosovës.
Siç tha kryetari i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, simbolet e shtetit të Kosovës janë të vendosura edhe brenda ndërtesës së komunës.
Lini një Përgjigje