
Serbia ka marrë një shuplakë të fortë sot nga Britania e Madhe, për tensionet në veri të Kosovës.
Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka reaguar mbi sulmet ndaj KFOR dhe nuk i ka toleruar aspak serbët.
Me anë të një postimi në Twitter, Kearns ka deklaruar se bandat serbe po paguhen dhe po armatosen me armë nga Beogradi.
Ajo ka folur gjithashtu edhe për shkrimin e New York Times që përmend Vuçiçin dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar për interesat e tij personale.
“Inkurajoni këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë këtë artikull të NYT për Vuçiçin, dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar dhe siguruar interesat e tij. Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, shkruan Kearns.
Kearns ka reaguar gjithashtu edhe tre ditë më parë (26 maj) për situatën në veri të Kosovës. Ajo ka kritikuar ndërkombëtarët në lidhje me deklaratat e tyre kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës.
“Aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë së sulmuari zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të vendosen në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Për më tepër kur ata qëndrojnë të heshtur përballë militantëve e mbështetur dhe të armatosur serb, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës”, ka shkruar Kearns.
Ditën e sotme qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë. Policia e Kosovës dhe trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë ndaj protestuesve serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit. Gjatë operacionit u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi. Nga sulmet në veri, janë plagosur dhjetra ushtarë të KFOR-it, janë sulmuar gazetarët dhe policia e Kosovës. Ndërsa diplomatët e huaj kanë dënuar dhunën ndaj tyre dhe kanë njoftuar se nuk do të tolerojnë asnjë sulm të mëtejshëm.
Lini një Përgjigje