TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shtator 2025, 11:27

Dëshmia në Hagë, Rubin bën deklaratën e fortë: Sekretarja Albright e kërcënoi Thaçin të firmoste ose do kishte pasoja të rënda

Shkruar nga Pamfleti
Dëshmia në Hagë, Rubin bën deklaratën e fortë:
James Rubini

Në Hagë ka nisur dita e tretë e dëshmisë së James Rubinit, dëshmitar i mbrojtjes të Hashim Thaçit.

Gjatë seancës, Rubin u pyet nëse kishte dijeni për ndonjë kërcënim të mundshëm të bërë nga Thaçi ndaj dy anëtarëve të delegacionit kosovar në Rambuje, të cilët nuk ishin pjesë e UÇK-së. Ai deklaroi se nuk kishte dijeni për ndonjë kërcënim fizik.

“Nuk kam qenë në dijeni për ndonjë kërcënim fizik nga ana e Thaçit. Por duhet ta dallojmë presionin fizik nga ai moral apo ideologjik,” tha Rubin.

Ai theksoi se vetë Hashim Thaçi ishte në pozita të vështira në Rambuje dhe ishte vënë nën një presion të drejtpërdrejtë diplomatik nga Sekretarja Amerikane e Shtetit të asaj kohe, Madeleine Albright.

“Sekretarja Albright e ka kërcënuar Thaçin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i thënë se nëse nuk nënshkruan dhe i lë njerëzit të pambrojtur nga serbët, pasojat do të jenë të rënda,” deklaroi Rubin.

Ai shtoi se edhe figura të tjera politike shqiptare, si Adem Demaçi, ishin përballur me forma të ngjashme presioni në atë periudhë vendimtare për Kosovën.

Gjykatësi Fergal Gejnor gjatë seancës së sotme publikoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 nga BBC ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.

Gjykatësi tha se dje Rubin deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.

Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës. Por, ai korrigjoi gjykatësin sa i përket deklaratës së Albrightit.

“Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubin.

“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubin.

james rubini

Lini një Përgjigje