
Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvendësi...
James Rubin, diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me përvojë mbi 35 vjeçare në politikën e jashtme, ka dëshmuar në ditën e dytë në Hagë në procesin që zhvillohet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, përfshi edhe Hashim Thaçin, ish-Presidentin e Republikës së Kosovës.
Në dëshminë e tij, Rubin ka marrë në mbrojtje Thaçin, por edhe të akuzuarit e tjerë nga Gjykata Speciale, kur prerazi tha se kjo nuk është drejtësi dhe këtë opinion të tij e shpreh me zë të lartë.
“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin.
I pyetur nga gjyqtarët nëse iu kishte besuar fjalëve të Thaçit, i cili në vitin 1999 i kishte thënë se shqiptarët dhe UÇK-ja dëshironin demokraci dhe bashkëjetesë, Rubin ka dhënë përgjigje interesante. Ai ka bërë me dije se besimin ndaj Thaçit e kishte ndërtuar në vazhdimësi.
“Besoj se ai donte marrëveshje, besoj se donte demokraci, edhe pse fliste me gjuhë komuniste në atë kohë. Ishte me përkthim, e vështirë të bëhet vlerësim i saktë. Bashkëjetesës, e di që shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë, e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim që ishte gjë e mirë. A e besova këtë? i kam besuar gjithnjë me kalimin e viteve, sepse ai tregoi që fjalët që thoshte i përkthente në veprime. Edhe pse nuk kam dyshuar, u binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, ka thënë Rubin.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gjykatësit Christoph Barthe, Rubin tha se Hashim Thaçi bëri disa lëshime në Rambuje, pavarësisht kërcënimeve ndaj tij.
“Marrëveshjet e Rambujesë përmbajë shumë hollësi, përfshirë lejimin që NATO të jetë struktura ushtarake e sigurisë, dominuese në Kosovë. Kjo ishte kundër idesë që UÇK të ofronte siguri në popullin e Kosovës. Ishte një lëshim. Duke u pajtuar në parim, besoj, që ne kishim bërë, marrëveshjen. Këto nuk ishin një garanci për pavarësinë e Kosovë. Në marrëveshje nuk e përmbanin, por përmbanin elementë tregues që ishte shprehja e vullnetit të popullit pas tre vitesh. Pavarësia ishte lëshim dhe kjo ishte gjë e madhe”, tha ai.
Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, u përgjigj me ‘Jo’, kur u pyet nëse e dinte se për çfarë u themelua Gjykata Speciale.
Por, Rubin tha se e di se kjo gjykatë u themelua “me kërkesë të lidervë evropianë dhe amerikanë”.
Ai shtoi se e di për akuzat e ngritura nga Dick Marty në raportin e tij, ku akuzon Hashim Thaçin për trafikim organesh, por, sipas tij, këto akuza nuk përfunduan askund.
James Rubin u ndal edhe te një bisedë e ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright me Adem Demaçin, veprimtarin e çështjes kombëtare.
“Demaçi i tha zonjës Albright, ose pavarësi, ose të vdesim të gjithë. Kjo na u duk e egër, prandaj ka përdorur fjalët i etur për gjak”, tha ai.
Sa i përket Hashim Thaçit, Rubin tha se ishte absolutisht e qartë që ai nuk mund të merrte vendime në emër të UÇK.
“Ai telefononte udhëheqësit dhe një nga këta ishte Demaçi i cili po përpiqej të ndryshonte kushtet e Rambujesë. Ne e kuptonim që kishte një luftë pushtetesh. Po përpiqeshim të merrnin një po për këtë marrëveshje”, tha Rubin.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Rubin tha se ka folur me juristë ndërkombëtarë për të kuptuar gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të cilët i kanë thënë se “kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti që është dorëzuar vullnetarisht”.
“Kam kaluar duke menduar, duke u përgatitur. Mendoja nga viti në vit që do hapet gjykimi sot, e do hapet gjykimi nesër, ndërkohë që vitet kalonin dhe asgjë nuk ndodhi për shumë vite. Kam vrarë mendjen pse u deshën 5 vite për të krijuar një çështje të tillë ndërkohë që aktakuza është ngritur pesë vite më parë. Nuk e kuptoja gjithë këtë. Kam pyetur njerëzit e kësaj fushe, u kam thënë nëse ishte normale kjo gjë. Kam folur me juristë ndërkombëtarë e me avokatë me emër ndërkombëtarë që më kanë thënë që kjo është një gjë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht dhe në juridiksionin e një gjykate që e ka krijuar vetë kur ka qenë kryeministër për t’i treguar liderëve europiane që kishte dëshirë që vendi të bëhej pjesë e BE-së”, tha ai.
James Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandatët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.
Sipas artikullit të lexuar nga prokurori, Hashim Thaçi drejtoi fushatën e vrasjes së disa komandantëve. Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.
Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.
“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha ai.
James Rubin tha gjatë dëshmisë së tij, se në fillim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përshkruan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.
“Ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë. Ne fillimisht e përshkruanim si organizatë me aktivitet terrorist. Sigurisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste”, tha Rubin.
Ish-zyrtari i lartë amerikan tha se qëndrimi ndryshoi pasi “UÇK-ja u pajtua me Rambujen dhe konsideruam që ishin në anën e engjëjve pasi nënshkruan marrëveshjen e paqes”. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje