
Arrestohen edukatoret të cilat dhunuan barbarisht fëmijën 3-vjeçar në një çerdhe shtetërore në Fushë Kosovë.
Një ditë më herët, familjarë të 3-vjeçarit, publikuan në rrjetet sociale, incizime nga kamerat e sigurisë në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ku thanë se shfaqen edukatoret duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës.
Sipas familjarëve që kanë publikuar pamjet, 3-vjeçari është rrahur nga dy edukatore, duke pretenduar se në dhunë janë përfshirë edhe pastruesja dhe kuzhinierja e këtij institucioni. Ata thanë po ashtu se fëmija po përjeton “trauma të rënda psikike, nuk mund të flejë më dhe po përjeton ankth të madh”.
“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave: N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, tha policia.