Kosova25 Shkurt 2024, 08:20

Përplasja me ndërkombëtarët për dinarin, Kurti: Presioni ndaj meje nisi pasi Vuçiç alarmoi Europën!

Shkruar nga Pamfleti
Përplasja me ndërkombëtarët për dinarin, Kurti:
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për përplasjen me aleatët rreth çështjes së dinarit serb.

Në një intervistë për radio “Monocle”, Kurti ka thënë se nuk ishte në dijeni për vendimin që do të merrte Banka Qendrore e Kosovës.

Kurti tha se presioni ndaj tij filloi pasi Vuçiç propagandoi se ky vendim do të sjellë “katastrofë” për serbët e Kosovës.

“Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore mori këtë vendim, për rregulloren e re dhe bënë mirë. Nuk kisha ide për këtë vendim apo për draftimin e kësaj rregullore. Gjithçka ishte duke shkuar mirë dhe pa probleme dhe në mes të janarit, pikërisht pasi përgatitjet po shkonin mirë, presidenti serb Vuçiç alarmoi rajonin dhe Evropën se “katastrofa” do të ndodhë prej 1 shkurtit kur dinari do të përjashtohet. Dhe atëherë presioni  ndaj meje filloi, kur Vuçiç foli.

Ne nuk po përjashtojmë dinarin, mund të keni dinarë në Kosovë por mjet për pagesa është euro, sipas Kushtetutës mund të ketë vetëm një valutë. Ne duam të ndihmojmë serbët dhe nuk ka qeveri që kur kemi shpallur pavarësinë që i ka ndihmuar komunitetit serb më shumë se ne”, tha Kurti gjatë një interviste në Mynih për Konferencën e Sigurisë.

Zyrtarë të lartë amerikanë në ditët e fundit, kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të ketë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës javën që shkoi, O’Brien tha se: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Por, O’Brien tha të martën se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do të lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.

Në linjë me këtë deklaratë të O’Brien, javën e kaluar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili i është përgjigjur Qeverisë Kurti të cilët deklaruan se nuk ka rrezik për krisje të partneritetit me SHBA-në.

Hovenier theksoi sërish se kjo situatë ka prekur partneritetin e SHBA-së me Kosovën, duke përgënjeshtruar kështu Kurtin dhe vartësit e tij në Qeveri, që pas intervistës së bujshme të O’Brien.

“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, tha ambasadori amerikan në një konferencë të jashtëzakonshme gjatë javës së kaluar.

Ndërkaq, Emisari amerikan, Gabriel Escobar, tha dje se Qeveria e Kosovës, me mospërmbushjen e kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb, nuk po e trajton Uashingtonin si partner.

“Nuk dua të flas se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona publike kanë treguar qartë se ku po shkojnë raportet tona diplomatike dhe politike. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht. Mendoj se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka thënë më së miri: kjo ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën që të integrohet në komunitetin transatlantik”, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.

albin kurti dinari serb